Kosova

Takimi Kurti-Vuçiç, studiuesi austriak: Borrelli e Lajçaku dështuan, kjo është e rrezikshme


Albin Kurti, Miroslav Lajçak, Josep Borrell dhe Aleksandër Vuçiç

Vedran Dzihiç, studiues i lartë dhe ligjërues në Universitetin e Vjenës në Austri, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, ka shkruar mbi rrezikun që mund të paraqesë dështimi i raundit të ri të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të mbajtur këtë të enjte në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në një konferencë për media pas takimit të nivelit të lartë, ka thënë se kryeministri kosovar, Albin Kurti, nuk e ka pranuar propozimin e BE-së për kompromis lidhur me sekuencimin e Marrëveshjes Bazë të dakorduar në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Raundi i ri i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë dështoi. Për këtë fajësohet sërish Kosova. Këndohet kënga e “kokëfortit” Kurti – Vuçiçi u cilësua i gatshëm për kompromis. Dyshja e BE-së Borrell- [Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav] Lajçak dështoi. E gjithë kjo është e rrezikshme”, ka shkruar të enjten ai.

Negociatat diplomatike të ndërmjetësuara nga BE-ja me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk kanë prodhuar rezultate të prekshme në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve, derisa kryeministri Kurti e presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre, posaçërisht për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore