Kosova

Tahiri: Zgjedhjet më 30 qershor ose 7 korrik – shtatori duhet ta gjejë Kosovën me qeveri të re


Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, deklaroi se shtatori duhet ta gjejë Kosovën me një qeveri të re, derisa ftoi opozitën ta mbështesë mocionin për shpërndarjen e legjislativit në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Jemi në afatet e fundit kohore kur duhet të procedohet mocioni për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës në mënyrë që vendi ynë t’i drejtohet kutive të votimit më 30 qershor apo 7 korrik, ashtu sikurse kemi propozuar. Fatkeqësisht, ende nuk kemi dakordancë mes grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, pastaj caktimin e datës së zgjedhjeve, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet dhe partia më e madhe opozitare insistojnë se mënyra e vetme për zgjedhje të parakohshme është shpërbërja e kuvendit nëpërmjet një mocioni të përbashkët.

“Ne jemi në një komunikim intensiv me të gjitha palët në mënyrë që këto data të mos i humbim dhe Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme, qoftë më 30 qershor, qoftë më 7 korrik”, nënvizoi ndër të tjera Tahiri, duke shtuar se 30 maji është data e fundit kur duhet të shpërndahet Kuvendi i Kosovës në mënyrë që vendi të ketë një qeveri të re deri në shtator.

Ndryshe, partitë veçse kanë nisur të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të reja pak para përfundimit të mandatit të qeverisë së drejtuar nga LVV-ja – mandati katërvjeçar i ekzekutivit aktual përfundon në shkurt të vitit 2025 – ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale, mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme përgjatë këtij viti nuk mund përjashtohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore