Kosova

Tahiri pyet Kurtin: Pse mungoi një letër për BE-në për mosndëshkimin e Serbisë për Banjën?


Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka shtruar një pyetje se pse kryeministri Albin Kurti, nuk ia ka dërguar një letër zyrtare Bashkimit Evropian, për ta pyetur se pse nuk është ndëshkuar Serbia pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Këtë, Tahiri e ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që nga Unioni bënë me dije se ende nuk kanë marrë vendim në lidhje me heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar.

“BE-ja ende jo e gatshme t’ia heq sanksionet Kosovës (janë duke e diskutuar po thotë Borrelli) – pse mungoi një letër zyrtare nga Kryeministri Kurti që ta pyes BE-në pse Serbia nuk u ndëshkua për sulmin në Banjë?”, shkroi Tahiri.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur, i prirë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç – kishte sulmuar Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Për këtë sulm, Kosova kishte akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë, dhe kishte kërkuar nga vendet perëndimore që Beogradi zyrtar të ndëshkohej – gjë që ende nuk ka ndodhur.

Serbia nuk është distancuar fare nga sulmi terrorist, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare në nder të terroristëve të vrarë, madje ka strehuar kriminelët e tjerë që kanë arritur të largohen nga Banja.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, njëzëri kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin, derisa kanë kërkuar që autorët të mbajnë përgjegjësi.

Nga ana tjetër, Kosova vazhdon që të mbetet nën masa ndëshkuese që më shumë se një vit – të vendosura për shkak të veprimeve të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti në Veri të vendit – i banuar me shumicë serbe.

Së fundmi, në raportin e tij rreth këtyre masave që ua ka dorëzuar vendeve anëtare, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka sugjeruar heqjen e plotë të masave.

Por, në BE nuk ka pasur pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese dhe si kompromis këto masa do të hiqen pjesërisht dhe gradualisht.

Kjo pasi që disa vende të BE-së janë shprehur se “përmbushja e kërkesave nga ana e Kosovës nuk ka qenë e plotë” dhe aktualisht këto shtete nuk pajtohen që Kosovës t’i hiqen të gjitha masat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore