Lajme

Tahiri: Ky është mandati i fundit i Kurtit, s’do të ketë një mandat të ri


Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, pas mbledhjes së kryesisë është pyetur nga gazetarët rreth deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se “në rastin e shkuarjes në zgjedhje të reja parlamentare opozita zhduket”, Tahiri u shpreh se nuk do të ketë një Qeveri Kurti pas zgjedhjeve të reja.

Sipas tij, s’do të ketë “as vota” të cilat mundësojnë fitimin e zgjedhjeve të reja nga Kurti.

Kurse, ka shtuar se dorëheqja e Kurtit do t’i ndihmojë Kosovës që t’i largohen sanksionet nga Bashkimi Evropian.

“Favori dhe shërbimi më i madh që do të i’a bëjë Kurti vendit është që të jap dorëheqje dhe të shkojmë në zgjedhje. Ky është mandati i fundit i Kurtit dhe nuk do të mund të ketë një mandat të ri”.

Ai ka kërkuar nga kreu i ekzekutivit që të mos shqetësohet për opozitën, por për pengesat që i kanë dalur në vend.

“Tash Kurtit, kanë filluar që t’i dalin pengesa edhe nga BE-ja. Ai e ka të pamundur që të qeverisë dhe ta nxjerr vendin nga kjo situatë. Dorëheqja e tij do të garantoj që vendit tonë t’i hiqen sanksionet. Një kryeministër që i ka humbur rruga në oborr, mendoj që dorëheqja e tij është shërbimi më i madh që mund t’i bëjë vendit tonë”.

“Nuk ka nevojë Kurti të brengoset për opozitën, breng për të është humbja e pushtetit”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media të hënën në Prishtinë, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i shkojnë përshtati as pushtetit e as opozitës kosovare, sepse sipas tij, partitë opozitare mund të “zhduken” nga skena politike, duke aluaduar kështu në fitore dërrmuese nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha brenda dhe jashtë. Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Në ndërkohë po vazhdon edhe “ping-pongu” se kush ka më shumë faj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore