Kosova

Tahiri: Kurti në rënie të lirë, po e lut opozitën ta rrëzojnë


Edita Tahiri

Sipas ish-kryenegociatores të Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, kryeministri Albin Kurti, po e lut opozitën që ta rrëzojnë, që kështu të shkohet në zgjedhjet e reja.

Këto komente, Tahiri i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Kurti ka takuar disa përfaqësues të opozitës dhe të koalicionit qeverisës me të cilët ka diskutuar për zgjedhjet e reja.

“Kryeministri Kurti në rënie të lirë – darkave po lut opozitën që ta rrezojnë – gjatë gjithë mandatit shpërfilli opozitën!”, ka shkruar Tahiri.

Ditëve të fundit, kryeministri Kurti është duke u takuar me përfaqësues të partive politike në vend, për të diskutuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Të martën ai është takuar me përfaqësuesit e partive të komuniteteve jo shumicë në vend.

Ndërsa, më 13 maj ishte takuar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, me të cilin po ashtu ka diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e patën refuzuar ftesën e Kurtit. LDK-ja nëpërmjet një komunikate për media kishte thënë se dorëheqja e Kurtit duhet t’i paraprijë shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që t’u hapet rruga zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

Të njëjtin pozicion e kishte elaboruar edhe AAK-ja. Sipas saj, vetëm me dorëheqjen e kryeministrit Kurti mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

PDK-ja të martën e takoi Haradinajn për ta bindur për shpërndarje të Kuvendit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore