Kosova

Tahiri komenton takimin Kurti-Pamuk: Uroj ta ketë kuptuar që kryeministri është lider me prirje autoritare


Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, duke komentuar takimin që kryeministri Albin Kurti, me shkrimtarin turk, Orhan Pamuk, njëherit fituesin e çmimit Nobel për letërsi, të cilin e prezantoi me pompozitet, ka thënë se uron që shkrimtari turk ta ketë kuptuar se Kurti është lider me “prirje autoritare”.

Këto komente, Tahiri i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pak orë pasi që Kurti përmes një postimi po në të njëjtën platformë sociale, shprehu “kënaqësinë” e tij për takimin me nobelistin Pamuk.

“Kurti na njoftoi për darkën e tij me shkrimtarin, njëherësh nobelistin Orhan Pamuk. Kush nuk do të entuziazmohej nga një mundësi e tillë, i mora lakmi. Kjo sepse njerëzit e zakonshëm mësojnë dhe inspirohen nga shkrimtarët në përgjithësi, nga nobelistët mësojnë diçka më shumë, veçmas urtësinë dhe modestinë”, shkroi fillimisht Tahiri.

Tahiri analizojë edhe atë se cfarë ndau Kurti me publikun për takimin me Pamukun.

“Si për fillim, na tregoi që ai e kishte ftuar Kurtin dhe jo ky nobelistin Pamuk. Kjo edhe pse mes rreshtave kuptohet se nuk njiheshin si miq”.

“Pastaj tha se për tri orë e gjysmë, u ndërruan më shumë tema se sa pjata. Na bëri të hamendësojmë që nëse për tri orë janë ndërruar, ta zëmë gjashtë pjata, mund t’i ketë ndërruar dhjetë tema. Pastaj me arrogancë e mbylli njoftimin, kjo sepse egoja e tij e pakontrolluar e dalldisë në iluzion, duke u shprehur metaforikisht, që mbase ai dhe Pamuk arritën të shkruajnë përmbledhjen e një kapitulli të, siç thotë, miqësisë së tyre të ardhshme. Pra Kurti ftohet. Me të temat nuk kanë të sosur. Miqësia me të është fisnikërim për nobelistët si Pamuk”, shtoi.

Pra, nga e gjithë kjo, në prizmin e deputetit të AAK-së, “as edhe një porosi të vetme se çfarë u diskutua, e të mos flasim se çfarë mësoi nga Pamuk”.

“Epo Kurti ndoshta mund t’ia ngacmoj dikujt imagjinatën me përrallat e tij populiste, por së paku në Stambollin e begatshëm, uroj që Pamuk ta ketë kuptuar që Kurti është një lider me prirje autokrati, i cili flet për numrin e madh të pjatave të Stambollit, përderisa qytetarët nën qeverisjen e tij varfërohen, jetojnë me një ose dy pjata, të cilat pagat e ulëta dhe inflacioni po ua varfërojnë”.

Çështjet që sot ju interesojnë qytetarëve, sipas tij, “nuk janë takimet individuale të Kurtit, por ku është Kosova sot”.

Gjashtë muaj para se të fillojë fushata zgjedhore, sipas Tahirit, Kurti duhet të përgjigjet në disa çështje me rëndësi për qytetarët e Kosovës.

“Pse për katër vjet nuk mundi t’i rrisë pagat në sektorin publik, por administrata e shtetit vazhdon të jetë me sigurinë juridike më të ulët në Evropë dhe pagën më të vogël në Evropë. Pagën minimale 170 euro, as për tri vjet e gjysmë nuk mundi ta ngritë. Paramendojeni, sektori privat – odat ekonomike po kërkojnë të rritet paga në 350 euro, e kryeministri Kurti ende e ka lënë në 170 euro”, renditi ai disa nga çështjet, derisa vazhdoi:

“Ku është Ligji për Sigurimet Shëndetësore? Çka ka bërë në arsim? Pse nuk po ndreqet rruga Prishtinë-Podujeve qe tri vite e gjysmë? Pse nuk u përfunduan rrugët për Gjakovë, Gjilan e Mitrovicë?”.

Pyetja thelbësore aktualisht që ka evidentuar Tahiri, “është se çka i thotë kryeministri Kurti popullit të Kosovës për sukseset qeverisëse katërvjeçare, përveç që është takuar me personalitetet të larta, ka diskutuar dhe është kthyer në Kosovë”.

Kurti thotë se i ndodhi “e pabesueshmja në Turqi”, darkoi me një shkrimtar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore