Lajme

Tadiç për Vuçiçin: “E humbi Kosovën në paqe – është servil ndaj Perëndimit”


Në një intervistë për të përditshmen serbe “Nova”, ish-presidenti i Serbisë dhe Boris Tadiç, ka thënë se po të ishte president, nuk do ta nënshkruante propozimin franko-gjerman dhe se qeveria aktuale ka përgjegjësi historike kur është fjala për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Ai vuri në dukje se absurdi më i madh është se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e humbi Kosovën në paqe.

“Ende nuk e dimë tekstin përfundimtar që do të ofrohet për nënshkrim. Atë që kam parë deri tani dhe çfarë është shfaqur në publik, nuk do ta firmosja. Dhe ndryshe nga të tjerët, këtë nuk e them në mënyrë demagogjike, por qëndroj me pjesën time pas, pasi nuk pranova të nënshkruaj atë që më vonë u nënshkrua nga kjo qeveri si Marrëveshja e Brukselit”, tha Tadiç.

“Mes qeverisë që e humbi Kosovën në luftë dhe kësaj aktuale që e humbi në paqe, vetëm gjatë qeverisjes sonë ne mbrojtëm dhe arritëm të mbrojmë në paqe atë që nuk humbi në luftë, edhe pse në kohën tonë ishte shpalli zyrtarisht pavarësia e Kosovës”.

Tadiç ka theksuar se Vuçiç është servil ndaj Perëndimit, meqë sipas tij, “ne kemi qenë dëshmitarë që bashkësia ndërkombëtare për një dekadë toleron kolapsin katastrofik të demokracisë në Serbi për shkak të servilizmit të kësaj qeverie për çështjen e Kosovës dhe kjo është plotësisht e dukshme”.

“Një nga dallimet e kësaj qeverie me tonën është se ne mbrojtëm interesat kombëtare, jo qeverinë tonë, por edhe se nuk kishim barrën e një të shkuare politike që dikush mund ta përdorte për të na shantazhuar”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore