Shqipëria

Tabaku thotë se premtimi i rritjes së pagave ishte thjesht ‘reklamë fushate’


“Zvarritja e qeverisë me rritjen e pagave për 185 mijë punonjës të administratës publike që kanë 10 vite pa rritje pagash dhe ka që në dhjetor që i reklamon është e pakuptimtë”.

Kështu ka deklaruar nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, sa i takon faktit se pavarësisht kalimit të ligjit të ri të pagave në parlament, ato edhe për muajin maj do të kalojnë në kuotën e para reformës.

Këtë e bëri me dije ministrja e Financës dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e pyetur mbi çështjen.

Mirëpo, sipas Tabakut, e gjitha është thjesht një tregues se premtimi ishte “reklamë e parapaguar fushate dhe jo llogaritje konkrete e bazuar në buxhet”.

“Nuk e di si ta kuptojmë Ministren e Financave që ka muaj që thotë paratë janë atje, që janë llogaritur efektet, që hyn në fuqi me sot me nesër”, theksoi deputetja demokrate.

Përmes një postimi në Facebook, ajo shton edhe një përsiatje, ku pretendon se paaftësia dhe këmbëngulja krenarisht në të nuk duhet të jetë justifikim për shtyrjen në kohë të një ligji të miratuar në parlament dhe të dekretuar.

“Ministri Financash që ngatërrohet në llogari është e pazonja të manaxhojë arkën e taksave të shqiptarëve”, përmbylli ajo postimin.

Nga ana tjetër, version të ndryshëm ka ministrja Ibrahimaj.

“Ne kemi kërkuar institucioneve buxhetore me qëllim që pagat e muajit maj të kalojnë siç ishin para se të hynte në fuqi reforma. Titullarët e institucioneve që preken nga ligji vendosëm që pagat në tërësi të kalojnë siç kanë qene në muajin maj. Shtesat mbi pagë të aplikohen qoftë për muajin prill qoftë për muajin maj. Tatimi it ë ardhurave të jetë tatimi i duhur”.

Sipas saj, të gjitha institucionet me zbardhjen e vendimit do të instruktohen duke prekur listë pagesat e këtyre dy muajve.

Votohet unanimisht për rritjen e pagave të deputetëve dhe ministrave

“Mendojmë se kjo do të ketë një ndikim të rëndësishëm dhe jemi të bindur se kjo reforma ka ardhur në kohën e duhur. Paga minimale ka pasur një rritje të konsiderueshme. Kemi bërë një llogaritje të ofertës që po hidhet deh sa oferta agregate reflektohet në rritje”.

Ajo shtoi se “nuk presim të ketë një rritje inflacioni nga rritja e pagave”.

“Oferta agregate, diferenca dhe paratë shtesë është shumë e vogël në krahasim dhe me paranë totale në qarkullim do të shihet se sa do të ndiqet kjo nga sektori privat. Në të gjitha skenarët që ne kemi parashikuar për rritjen e pagave, nuk presim të ketë ndikim domethënës në inflacion. Pasojat e krizës ende jemi duke i ndjerë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore