Kosova

Szunyog kërkon nga Kurti t’i përshpejtojë reformat për rrugën e Kosovës drejt BE-së


Albin Kurti dhe Tomas Szunyog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës, shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Në këtë takim, Szunyog kërkoi nga Kurti që të përshpejtohen reformat për rrugën e Kosovës drejt BE-së.

“Rikonfirmoj rolin e BE-së si një partner stabil dhe i pazëvendësueshëm për Kosovën dhe e inkurajoj atë që të përshpejtojë reformat e nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka shkruar ai në platformën X.

Ndërsa, nga Zyra e Kryeministrit është thënë se palët kanë diskutuar për bashkëpunimin që e kanë pasur duke e vlerësuar si “të mirë”.

Sipas njoftimit, theksohet se kreu i ekzekutivit përmendi anëtarësimin e Kosovës në BE, liberalizimin e vizave e disa çështje të tjera të cilat i cilësoi si arritje në periudhën kur Szunyog ishte i angazhuar si shef i Zyrës së BE-së.

“Veçoi dorëzimin në vitin 2022 të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, liberalizimin e vizave në vitin 2024, nivelin e lartë të përmbushjes së Agjendës e Reformave Evropiane (ERA 2) dhe vlerësimet pozitive në raportin e vendit për vitin 2022, si disa prej arritjeve të Kosovës në fushën e integrimit evropian, lëvizjes së lirë dhe reformave evropiane që janë shënuar gjatë mandatit të ambasadorit Szunyog”, thuhet në njoftim.

Më tej, potencohet se u theksua mbështetja e rëndësishme e BE-së për Kosovën në ballafaqim me pandeminë Covid-19 dhe në tranzicionin energjetik.

Kurti i uroi ambasadorit Szunyog suksese në angazhimet e radhës.

Ambasadori Szunyog e kishte pranuar detyrën e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë më 1 shtator 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore