Lajme

Szunyog e Barbano vizitojnë Gjykatën Kushtetuese, kërkojnë zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit


Tomas Szunyog dhe Giovanni Pietro Barbano

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i shoqëruar nga Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano të martën ka takuar Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, ambasadori çek, ka kërkuar që autoritetet kosovare të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Ndër të tjera, Szunyog, ka njoftuar se me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese kanë diskutuar edhe për pavarësinë e këtij institucioni.

“Theksova se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e pavarure dhe e lirë nga ndikimi dhe presioni politik. Për të ruajtur pavarësinë e gjyqësorit, është thelbësore Qeveria të përmbahet nga deklaratat që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe besimin e publikut në të. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të respektohen dhe zbatohen plotësisht, përfshirë edhe aktgjykimin e datës 19 maj 2016 për çështjen e Manastirit të Deçanit”, ka potencuar Szunyog.

Ndryshe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për mediumi serb me seli në Kosovë, Kosovo Online, ditë më parë tha se Kosova nuk mund të jetë anëtare e Këshillit të Evropës pa e zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Nganjëherë duhet kohë për të bërë gjënë e duhur, por unë nuk e shoh kandidimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës të jetë i suksesshëm nëse kjo çështje nuk zgjidhet. Shpejt do të ketë një diskutim rreth tij dhe rekomandime do të bëhen se çfarë duhet të bëhet para votimit të pranimit dhe kjo çështje do të jetë në mesin e atyre rekomandimeve”, ka thënë Rohde.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore