Lajme

Synimi i Kurtit dhe garancat amerikane – Sa janë reale gjasat e anëtarësimit të Kosovës në Partneritetin për Paqe? 


Ilustrim

Synimi i Kosovës për anëtarësim në Programin për Partneritet për Paqe – program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s – ndonëse është i qëlluar varet kryekëput nga qëndrimi i shteteve mos-njohëse brenda Aleancës Veri-Atlantike të cilët kanë dëshmuar se përkundër paragjykimeve ndaj statusit të Kosovës nuk e kanë bllokuar rrugën e saj drejt integrimeve evropiane duke votuar pro liberalizimit të vizave.

Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i cili kumtoi lajmin se Kosova gjatë vitit 2023 do të punojë për anëtarësim në organizma ndërkombëtarë, me një synim të veçantë në programin për Partneritet për Paqe, pasi sipas tij, një gjë e tillë ishte bërë domosdoshmëri sidomos pas invazionit rus në Ukrainë.

Një garanci të fuqishme lidhur me synimin e ekzekutivit, kishte dhënë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili në një bisedë me gazetarët kishte deklaruar se SHBA-të “do të ripërtërijnë përpjekjet për të ndihmuar Kosovën që t’i bashkohet Programit të NATO-s”, vetëm nëse në Ohër të Maqedonisë së Veriut Kosova dhe Serbia dakordësohen për planin e zbatimit të Marrëveshjes së pajtuar më 27 shkurt në Bruksel.

Marrëveshja u arrit, por sa janë gjasat që Kosova të anëtarësohet në Programin e NATO-s?

Kosova, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Adrian Shtuni, ka dëshmuar, sidomos me qasjen konstruktive në Ohër – ani pse më shumë rëndësi do të ketë implementimi praktik se sa thjesht fakti që është arritur një Marrëveshje – përkushtimin e saj për paqen dhe stabilitetin, prandaj meriton t’i bashkohet programit për Partneritet për Paqe.

Megjithatë, ngurtësia e katër shteteve mos-njohëse brenda NATO-s, sipas Shtunit, siç rëndom ndodh, është pengesa kryesore në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë Program.

“Kam shpresa, megjithëse të përmbajtura, se qasja e këtyre vendeve do të ndryshojë pas arritjes së Marrëveshjes në Ohër, sigurisht edhe me ndikimin e SHBA-ve, duke pasur parasysh se integrimi i Kosovës në mekanizmat dhe strukturat e NATO-s është jo vetëm në të mirë të paqes dhe stabilitetit në Ballkan, por dhe të vetë Evropës, sidomos në kontekstin e pushtimit të pajustifikueshëm të Ukrainës nga Rusia”, ka thënë fillimisht Shtuni për Albanian Post.

Sipas NATO-s, Partneriteti për Paqe ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.

Programi përfshin pothuajse çdo fushë të aktivitetit të NATO-s, si puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë dhe mjedis.

Pjesëmarrja në programin për Partneritet për Paqe, sipas Shtunit, është paradhoma e anëtarësimit të plotë në NATO, megjithatë i njëjti nuk do të thotë me automatizëm anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.

Shqipëria, siç shpjegon më tej Shtuni, u bë pjesë e Programit në vitin 1994 dhe asaj u deshën 15 vjet që të anëtarësohej në NATO.

Ndryshe nga Shtuni, profesori i Studimeve të Paqes dhe Konflikteve në Universitetin “Dublin City”, Gëzim Visoka, thekson se gjasat e Kosovës për anëtarësim në këtë Program të NATO-s, nuk janë edhe aq realiste, jo për fajin e saj, por për dështimin e BE-së dhe Aleancës për unifikim të qëndrimit të shteteve anëtare ndaj pavarësisë së Kosovës.

“Anëtarësimi në Programin për Partneritet për Paqe është paraparë edhe në Strategjinë e re të Sigurisë së Kosovës, prandaj Kosova duhet ta dorëzojë kërkesën te NATO për anëtarësim në Program dhe të intensifikojë lobimin për pranim në këtë organizatë”, ka thënë Visoka për AP.

Kosova dhe Serbia fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars u pajtuan për Marrëveshjen për normalizimin e raporteve, ku Neni 4 i kësaj ujdie detyron Serbinë të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Adrian Shtuni dhe Gëzim Visoka

Prandaj, në dritën e kësaj dispozite, Visoka pret që BE-ja – por jo vetëm –  si garantuese të angazhohet për mos pengim të zbatimit të kësaj Marrëveshjeje nga vendet e treta, siç janë shtetet mos-njohëse të pavarësisë së Kosovës – Greqia, Qiproja, Rumania, Slovakia dhe Spanja.

“Kosova duhet të ndjek rrugë ligjore dhe të shfrytëzojë mekanizmin e udhëhequr nga BE-ja që është në krijim e sipër për monitorim të Marrëveshjes dhe përmes saj, apo trupave tjera të pavarura, të synojë qartësi nëse bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO apo organizata të tjera nga vendet anëtare të BE-së do të ishte pengim, ndërhyrje apo shkelje e zotimeve të marra nga BE-ja si ndërmjetësuese dhe garantuese e Marrëveshjes në fjalë”, ka shtuar Visoka.

Kosova gjithë në këtë mes, sipas Visokës, duhet të jetë më ambicioze dhe përveç synimit për anëtarësim në Programin për Partneritet për Paqe të fokusohet edhe në anëtarësim të plotë në NATO në përputhje me nenin 10-të të Traktatit.

Aktualisht, pjesë e Partneritetit të Paqes janë 21 shtete.

Pranimi i çdo anëtari të ri bëhet me vendimin unanim të 30 shteteve të aleancës, në një votim që mbahet në Këshillin e Atlantikut.

Nga shtetet e rajonit, në Partneritetin për Paqe bëjnë pjesë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si vende anëtare të NATO-s, Bosnjë e Hercegovina, dhe Serbia, ndonëse është deklaruar kundër anëtarësimit në NATO.

Kosova më 12 maj të vitit të kaluar aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por nga ajo kohë e njëjta ka mbetur e ngujuar në fazën e parë ndonëse duhet të kalojë tre faza të votimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore