Sylvinho dhe dilemat e formacionit shqiptar përballë Spanjës – Zhvillimet e fundit nga kampi kuqezi

SHFLETO
Vitjon Nina
24.06.2024 14:43
Loading Icons...

Shqipëria do të përballet me Spanjën në ndeshjen e fundit të grupeve dhe atë më përcaktuese për kuqezinjtë, ku shpresat nuk mungojnë edhe për një rezultat pozitiv, i cili do të bënte që ekipi kombëtar të shkonte në fazën e ardhshme të turneut, atë me eliminim direkt.

Dhimbja e kokës gjithsesi i takon trajnerit Sylvinho, i cili duhet të jetë vendimmarrës për gjithë çfarë do të japë Shqipëria në fushë në 90 minuta.

Pavarësisht se paraqitja në dy ndeshjet e para ka qenë e vlerësuar për kuqezinjtë, nuk mohohet entuziazmi i madh për shanset e kualifikimit.

Vetë Sylvinho, përpara ndeshjes, ka pohuar se ka ende dilema për 11-shen që do të zbresë në fushën e blertë të Dusseldorf Arena.

“Mund të bëj ndonjë ndryshim në formacion, por duhet të diskutoj më stafin pas seancës së fundit gjatë paradites. Jemi këtu me krenari që të bërë një ndeshje të rëndësishme me Spanjën. Është një skuadër e vështirë dhe shumë e fortë, por mund të ndodhë gjithçka”, ka pohuar Sylvinho.

Sipas gjasave, skema e lojës do të mbetet ajo 4-3-3. Në portë pritet të konfirmohet Strakosha. Mbrojtja, nga e majta në të djathtë, parashikohet të formohet nga Mitaj, Ajeti, Gjimshiti dhe një bolatazh mes Hysajt dhe Balliut për krahun e djathtë.

Në mesfushë do të konfirmohen sipas gjasave treshja Ramadani, Asllani dhe Laçi.

Ndërsa, në sulm, majtas do të jetë Bajrami me shumë mundësi, djathtas Asani dhe në majë, në minutën e fundit do të vendoset mes Manajt dhe Brojës.

Një ditë më parë, gjatë konferencës për shtyp, tekniku i Kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho, ka reflektuar se beson deri në fund te projekti i tij kuqezi dhe nuk përjashton në asnjë çast kualifikimin e mundshëm përtej fazës së grupeve në Euro 2024, pavarësisht se përballë pritet një ekip si Spanja.

Por, duke parë se kjo e fundit është tashmë e kualifikuar si e para e grupit, ndoshta ka një rrugë për kuqezinjtë që të shpresojnë në fitore dhe të kalojnë më tutje.

Gjatë konferencës për shtyp në vigjilje të ndeshjes, Sylvinho foli për disa aspekte, duke nisur nga kompaktësia e grupit dhe vendosmëria për të dhënë gjithçka në fushë për 90 minuta.

“Spanja ka lojtarë të shpejtë, ka lojtarë të mirë në krah apo në qendër. Ata lejojnë shumë pak hapësira. Bëhet fjalë për një rival të organizuar”, theksoi fillimisht tekniku shqiptar.

Më tej, ai vlerësoi edhe punën e trajnerit spanjoll, De la Fuente, i cili e ka çuar ekipin në një nivel tjetër.

“De la Fuente ka bërë një punë të mrekulleshme. Ata mbrohen dhe sulmojnë mirë. Gjatë kualifikueseve kanë humbur vetëm një ndeshje, atë ndaj Skocisë. Lojtarët e mi kanë guxim, ne do të futemi në fushë për të dhënë maksimumin. Çdo gjë mund të ndodhë, ne do të shkojmë në fushë për të luajtur”.

Në tërësi ndërkaq, ai është treguar i lumtur për fushatën e zhvilluar deri tani në Euro 2024, duke thënë se të shumtë kanë qenë ata, të cilët kanë menduar se Shqipëria do të pësonte shumë gola dhe se ndeshja e fundit nuk do të kishte rëndësi për kuqezinjtë.

Por, nuk ndodhi kështu…

“Ne përfaqësojmë vendin tonë, ne jemi të lumtur që jemi në grupin e vdekjes. Jam i kënaqur me lojtarët e mi. Këtë ndeshje nuk do e harroj. Është ndeshje me rëndësi”, vijoi ai më tej.

Në rast të kalimit të grupit, ai theksoi se kjo do të ishte një kënaqësi e madhe, pasi vendi do të përfaqësohej në 16 më të mirat e kontinentit.

“Spanja është ekip i mirë, por ne do luajmë gjatë gjithë 90 minutave, nëse kalojmë tutje, do jetë diçka e mirë. Do të jetë mision i vështirë, por ne do të bëjmë performancën tonë më të mirë”, përforcoi Sylvinho.

Më herët, edhe kapiteni i ekipit, Berat Gjimshiti, ka thënë se asgjë nuk është e pamundur në këtë sipërmarrje të Kombëtares.

Pavarësisht se është ndeshje e vështirë, ai garantoi se ekipi do të përpiqet maksimalisht të marrë rezultat ndaj Spanjës.

“Të gjithë djemtë janë gati. Gjëja më e rëndësishme është se jemi ende në garë dhe kemi ende shpresat tona. Shpresoj që të bezdisim Spanjën”, pohoi ai.

Faktin se spanjollët mund të luajnë me formacionin e dytë gjithsesi, nuk e sheh si lajm që avantazhin Shqipërinë, pasi edhe formacioni i dytë i Spanjës, është tejet i fortë.

“Besoj se e dimë se kë kemi përballë. Besoj se kjo është gjëja më e rëndësishme. Do luajmë sikur të kishim përballë ekipin e parë”, shtoi.

Ndërsa, në mbyllje, e përforcoi faktin se ndeshja e nesërme kundër Spanjës, ka më shumë rëndësi se gjithçka tjetër.

“Asgjë nuk është e pamundur. E dimë që do jetë e vështirë, do kemi mundësinë për të treguar përse jemi këtu”, përmbylli kapiteni kuqezi.