Kosova

S’votohet përfshirja në Kushtetutë e Konventës së OKB-së për personat me aftësi të kufizuara


Kuvendi i Kosoves

Në seancën e së enjtes Kuvendi i Kosovës ka dështuar që ta votojë përfshirjen e Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për personat me aftësi të kufizuara në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka kushte objektive për votim të amendamenteve të Kushtetutës.

Prezantimin dhe nevojën për votimin për përfshirjen e kësaj Konvente në Kushtetutë, në seancën ku ishin pjesëmarrës edhe përfaqësues të personave me aftësi të kufizuara, e bëri Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Vitia në fjalën e tij tha se kjo e drejtë është e njohur ndëkombëtarisht, prandaj duhet të jetë edhe në Kushtetutën tonë.

“Respektimi i të drejtave të njeriut zbatohet ndaj të gjithëve pa dallim. Sot po propozohet përfshirja e Konventës së Kombeve të Bashkuara si amendament kushtetues. Një e drejtë që është ndërkombëtarisht e njohur të normohet edhe me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë ai.

“Konventa e OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara fuqizon pasqyrën kushtetuese dhe ligjore për sa i përket mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fushat. Andaj, marrë parasysh sa i rëndësishëm është ky amandamentim, ju lutem dhe ju ftoj ta votoni këtë ndryshim kushtetues”, shtoi.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës këtë të enjte do t’i mbajë dy seanca parlamentare.

Seanca e parë ka filluar pas orën 10:00, dhe kishte vetëm një pikë në rend të ditës: “shqyrtimi i Propozim-amendamentit Kushtetues nr.27”.

Nga ana tjetër, seanca e dytë ka në rend dite 12 pika.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore