Kosova

Sveçla: Toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi ka përfunduar


Pas një aksioni të policisë në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit, në luftimin e aktiviteteve kriminale të fajdes dhe detyrimit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi dhe çdo fenomeni të dëmshëm për qytetarët ka përfunduar.

“Deri më tash janë arrestuar 7 persona, të cilët përmes aktiviteteve kriminale kanë përfituar vlera milionëshe nga qytetarët tanë përmes frikësimit dhe detyrimit fizik. Toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi dhe çdo fenomeni të dëmshëm për qytetarët dhe shoqërinë tonë ka përfunduar”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka shtuar se organet e rendit do të vazhdojnë pa u ndalur dhe pa kompromis luftën ndaj çdo ilegaliteti në vend.

“I lus dhe inkurajoj të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë që askush të mos jetë viktimë e individëve apo organizimeve kriminale”, potencoi kreu i MPB-së.

Ndryshe, personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore