Kosova

Sveçla: Situata në Veri po ndryshon pakthyeshëm, mbyllëm 16 rrugë ilegale


Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, konsideron që edhe në Veri të Mitrovicës është arritur sundimi i ligjit.

Sipas tij, kjo është dëshmuar edhe përmes mbylljes së 16 rrugëve ilegale të kontrabandës.

Këto deklarata ministri i bëri në kuadër të procesit të Brdos që po mbahet në Portorozh të Sllovenisë, ku ka folur për sfidat me të cilat shteti i Kosovës po përballet në veri të vendit.

“Në këtë pikë, situata po ndryshon pakthyeshëm dhe për çdo ditë e më shumë sundimi i ligjit po vendoset si në çdo pjesë të Republikës”.

“Gjashtëmbëdhjetë (16) rrugë ilegale të cilat ishin përdorur për zhvillimin e kontrabandës në katër komunat në veri, përfshirë dhe atë me migrantë, por edhe trafiqeve të tjera, e që ndihmonin në pasurimin e krerëve të grupeve kriminale janë mbyllur tërësisht apo janë nën kontroll të plotë të institucioneve të sigurisë”, ka thënë ministri, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Përveç kësaj, ai ka deklaruar se Kosova ka dëshmuar se i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit rajonal, si parakusht për stabilitet, zhvillim të qëndrueshëm, paqe dhe siguri.

“Institucionet tona të sigurisë kanë dëshmuar se janë partner serioz në nismat rajonale, shpeshherë duke u marrë dhe si shembull i praktikave të mira jo vetëm për rajonin, jo vetëm në nivel organizativ, por edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës”.

Teksa për numrin e migrantëve viteve të fundit Sveçla është shprehur se numri është zvogëluar.

Në takim thuhet se u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si dhe identifikimin e veprimeve të ndryshme në luftën kundër kontrabandimit me migrantë dhe formave të tjera të krimit, si dhe menaxhimin e ri pranimit dhe kthimit.

Sveçla, ka marrë pjesë në këtë takim me ftesë të ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Sllovenisë, Bostjan Poklukar.

Gjatë tri ditëve të fundit në veri të Kosovës janë shënuar djegie të veturave me targa të Kosovës, të cilat janë ri-regjistruar nga targat ilegale KM të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Në fakt, djegia e veturave ka filluar qysh vitin e kaluar kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa legale.

Policia e Kosovës e ka arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut më 1 prill në kuadër të një aksioni për luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e kryerjes së veprave kriminale.

Personi i arrestuar dyshohet për disa vepra penale, përfshirë këtu pjesëmarrje në një sulm ndaj një njësie të Policisë së Kosovës, pjesëmarrje apo organizim të grupit të organizuar kriminal, vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë dënuar ashpër shkatërrimin e pronës private, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale. Të njëjtin kanë bërë thirrje agjencive të zbatimit të ligjit që të identifikojnë dhe ndjekin me shpejtësi përgjegjësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore