Kosova

Sveçla për Enver Zymberin: U kthye në shembullin e motivin e qindra vajzave dhe djemve të Kosovës


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se me shërbimin e tij, vullnetin e përkushtimin deri në sakrificë sublime, heroi Enver Zymberi e ka përjetësuar betimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Sveçla kujtoi Enver Zymberin në 13 vjetorin e rënies së tij.

“13 vjet nga rënia në krye të detyrës e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Heroit Enver Zybmeri. 13 vite më parë, gjatë një operacioni policor në veri të vendit, në fshatin Zubç të Zubin Potokut, nga një grup i armatosur kriminal i Serbisë, u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës, Heroi Enver Zybmeri”, shkroi Sveçla.

Ministri Sveçla potencoi se Zymberi u kthye në shembull e motiv për të gjithë ata që i shërbejnë Kosovës.

“Ai u kthye në shembullin dhe motivin e qindra vajzave e djemve të Republikës sonë që edhe sot, 13 vite pas rënies së tij, shërbejnë në çdo cep të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Kreu i MPB-së, duke përmendur se 26 korriku shënohet si Dita memoriale e policëve të rënë në kryerje të detyrës, pohoi se “listës së të rënëve, shokëve të tij të lavdisë, këtë vit i është shtuar Heroi Afrim Bunjaku, i vrarë në sulmin terrorist të Serbisë në Banjë më 24 shtator”.

Ai shprehi mirënjohjen për të gjithë ata që bartin me nder e krenari uniformën e Policisë së Kosovës.

“Sot dhe çdo ditë u jam mirënjohës djemve e vajzave tona që bartin me nder e krenari uniformën e Policisë së Kosovës dhe shërbejnë e mbrojnë Republikën tonë, duke realizuar kështu aspiratat e 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrë”, deklaroi Sveçla.

“Lavdi e përjetshme Heroit Enver Zybmeri! Lavdi e përjetshme 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore