Kosova

Sveçla me avazin e vjetër përsëri mashtron dhe minimizon protestën e NjSI-së: Keni mbështetjen më të madhe në aspektin financiar


Xhelal Sveçla

Ndërkohë që pjesëtarët e njësisë më elitare të Policisë së Kosovës, të njohur ndryshe edhe si FIT, të cilët zmbrapsën paramilitarët me 24 shtator në Banjë të Zveçanit, ishin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të dytën herë me radhë, kësaj radhe të përkrahur edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në platformën e tij sociale në Facebook, ka tentuar t’i de-legjitimojë kërkesat e tyre duke theksuar se ekzekutivi aktual “ka rritur buxhetin për Policinë e Kosovës për 30 për qind, ndërkaq në investime kapitale rritja është prej 300 për qind”.

Sveçla me avazin e vjetër, sikur pas protestës së parë të NjSI-së ka renditur, sipas tij, disa nga përmirësimet e përgjithshme që ka bërë Qeveria e Kosovës në raport me Policinë e Kosovës, duke tentuar t’i amortizojë kërkesat e zyrtarëve policorë.

“Buxheti për pajisje operacionale ka qenë më pak se gjysmë milioni, ndërkaq sot është mbi 9 milionë euro apo 21-fish më shumë. Bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ShSKUK-në kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit përmes së cilës të gjitha shërbimet shëndetësore në të gjitha rajonet e Kosovës, do të ofrohen për zyrtarët policorë me prioritet dhe pa asnjë pagesë”.

Sipas tij me marrjen e mandatit nga Lëvizja Vetëvendosje, “Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë”.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme për detyrë e kemi të mendojmë e përkujdesemi për tërësinë dhe kështu duke u lëshuar në secilën prej 9 agjencive ekzekutive e pastaj trajtim specifik për njësitë përbrenda secilës agjenci veç e veç, gjithnjë duke pasur parasysh mundësitë reale dhe qasjen e drejtë”.

Sveçla ndër të tjera ka thënë se gjatë kësaj kohe së bashku me Policinë e Kosovës janë bërë shumë punë të mira në drejtim të luftimit të krimit, korrupsionit e kontrabandës, pavarësisht se nga gjyqësori, sipas tij, “s’është se jemi ndihmuar shumë”.

“Veçanërisht kemi shtrirë integritetin, sovranitetin dhe sigurinë në Veri të vendit”, ka shkruar ai duke thënë se nuk beson që “ka pagë që do të na nxiste ta bënim këtë, por kemi bërë maksimumin që përbrenda mundësive tona të trajtojmë secilin njësit të Policisë së Kosovës ashtu siç e meriton”.

“Kam qenë shumë i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën do ta gjejmë sigurinë në Republikën e Kosovës dhe gjendjen e mjerueshme në aspektin infrastrukturore-financiar Policinë e Kosovës, por me shumë punë e angazhim, pavarësisht secilës sfidë, kemi bërë punë të mira e do të vazhdojmë të bëjmë”.

“Të gjithë së bashku kemi shtruar një rrugë të drejtë e të sigurt të ndryshimit të gjendjes së sigurisë në vend dhe kjo rrugë nuk ka më kthim mbrapa”.

Ai duke tentuar të lidhë protestën e Policisë së Kosovës për interesa personale apo grupore me qëllim, sipas tij, të zbehjes së këtyre angazhimeve “është i predispozuar që të dështojë”.

“Ne nuk do të ndalemi. Sepse ne jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë”.

E gjithë policia i bashkohet NjSI-së në protestë: I kemi 14 kërkesa për Qeverinë  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore