Kosova

Sveçla insiston në sanksionimin e Serbisë: Pa ndëshkimin e 9/24 e ardhmja s’është e përcaktuar qartë për paqe


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar sërish të martën ndëshkimin e Serbisë, fiks një muaj pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ku ka mbetur i vrarë Afrim Bunjaku, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe tre terroristë serbë.

Në një postim të gjatë në llogarinë e tij në “Facebook”, ministri Sveçla ka thënë se pa vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë dhe ndëshkimin e 24 shtatorit “ardhmja nuk është e përcaktuar qartë për paqe dhe demokraci në rajon”, derisa ka shtuar se pa sanksionimin e shtetit serb “stimulohen akte të tilla që cenojnë integritetin e shteteve fqinje”.

“Të gjitha faktet që dëshmojnë përfshirjen e plotë të Serbisë në këtë sulm terrorist i kemi ofruar për qytetarët tanë e për opinionin ndërkombëtar”, ka shkruar ministri Sveçla, derisa ka shtuar se nëpërmjet këtij sulmi frikacak ndaj organeve të rendit, shteti serb ka rikonfirmuar ambiciet territoriale të kohës së Sllobodan Millosheviçit, udhëheqësit fashist të Serbisë.

Ai ka potencuar se Millan Radojiçiçin, liderin e sulmit të 24 shtatorit, kryekriminelin dhe bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, edhe pas marrjes së përgjegjësisë për pjesëmarrjen dhe udhëheqjen e sulmit terrorist,  autoritetet serbe e liruan menjëherë dhe refuzojnë ekstradimin e tij në Kosovë.

“Për më keq, Serbia shpalli tre ditë zie për tre terroristët që u neutralizuan nga zyrtarët tanë policor gjatë ballafaqimit të armatosur. Këto fakte dhe jo vetëm, dëshmojnë fuqishëm që Serbia sponsorizon me të gjitha kapacitetet e saj terrorizmin në rajon”, ka thënë ndër të tjera ministri kosovar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), përveç dënimit të sulmit terrorist të 24 shtatorit, kanë kërkuar bashkëpunimin e plotë të Serbisë në hetimin e ngjarjes së tmerrshme në Banjë, duke përfshirë ndjekjen penale dhe ekstradimin e personave përgjegjës në duart e drejtësisë kosovare, pa vonesa të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore