Sveçla: Ilegaliteti ndërkufitar do të bëhet përmes sistemeve teknologjike, s’do të ketë kontrollim

SHFLETO

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Punëve të Brendshme nga Shqipëria, Taulant Balla.

 

Altina Marmullaku
12.06.2024 16:07
Loading Icons...

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me homologun e tij nga Shqipëria, Taulant Bella, kanë vizituar pikë kalimin e përbashkët kufitar në Vërmicë, pas vendimit që nga e mërkura kalimi në kufirin në Vërmicë të bëhet pa kontrollim në kufi.

“Me qëllimin e realizimit në mënyrën më të mirë të mundshme të marrëveshjes për heqjen e kontrolleve kufitare të qytetarëve të dy vendeve tona, nga sot do të aktivizohet korsia e veçantë e kalimit kufitar për ta. Mes dy vendeve tona nuk do të ketë kontrolle për qytetarët tanë por po punojmë që të kemi sisteme të avancuara teknologjike që luftojnë ilegalitetit ndërkufitare”.

Sveçla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se në shënim të përvjetorit të çlirimit të vendit janë shënuar edhe 20 vendkalime të veçanta.

“Në shënim të përvjetorit të çlirimit të vendit tonë, janë shënjuar edhe 20 vendkalimet e veçanta për banorët e brezit kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, në të cilat do të mundësohet lëvizja e lirë mes banorëve të atyre zonave”.

“Vazhdojmë, me qëllimet më të mira të përafrimit të vendeve tona dhe qytetarëve tanë, ashtu siç na njeh historia”, ka shkruar ai.

Edhe ministri nga Shqipëria, Balla njoftoi se ka hyrë në fuqi regjimi i lirë i trafikut në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive.

“Sot fillon zbatimi i regjimit të lirë të trafikut lokal të kufirit në hapësirën prej 30 km nga të dy anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, në pikat e veçanta të kalimit kufitar. Ndësa në Pikat Kufitare të Morinës dhe Vermicës do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit”, ka shkruar ai të mërkurën.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje të firmosur më 26 nëntor 2021, zona kufitare e lëvizjes së lirë të banorëve me leje të trafikut lokal kufitar është deri në 30 km brenda territorit të palëve nënshkruese.