Lajme

Sveçla fillon vizitën në Kroaci: Shpalosa faktet që pas sulmit terrorist qëndron Serbia


Foto: Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka filluar vizitën e tij zyrtare në Kroaci, ku ka zhvilluar një takim në parlamentin kroat, përkatësisht me kryesuesin e Komisionit për Politikë të Brendshme dhe Siguri Kombëtare, Sinisha Hajdas Donçiç.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Sveçla ka thënë se ka shprehur mirënjohje për partneritetin e shkëlqyer që e Kosova e ka me Kroacinë dhe “për rolin aktiv në mbështetjen e pakursyer për Kosovën në vazhdimësi, si në procesin e njohjeve, anëtarësimeve në mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtar”.

“Diskutuam për situatën e sigurisë në vendin tonë, veçanërisht për sulmin terrorist të 24 shtatorit ku shpalosa të gjitha faktet që pas këtij sulmi qëndron Serbia me të gjitha kapacitetet shtetërore të saj. Po ashtu, i njoftova anëtarët e Komisionit për të arriturat tona në luftën kundër krimit të organizuar”.

Foto: Xhelal Sveçla

Kreu i MPB-së theksoi se në këtë takim kanë pasur mundësinë të diskutojnë edhe për komunitetin kroat që jeton në Kosovë, të cilët, siç tha Sveçla, “përveç që janë vlerë e shtuar e shoqërisë sonë, angazhohen edhe në institucionet tona për ngritjen e forcimin e mëtutjeshëm të shtetit tonë”.

Në përfundim ministri theksoi se i ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për Kosovën.

“Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe më tutje si dy shtete aleate që angazhohemi për paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe më gjerë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore