Kosova

Sveçla e Rizvanolli në Trepçë, akuzojnë minatorët për vjedhje


Xhelal Svecla gjate bisedes me minatoret

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar minatorët e Trepçës, nga ku kanë hedhur akuza për vjedhje, në drejtim të disa minatorëve, pa i specifikuar konkretisht.

Në pamjet që janë publikuar nga mediat lokale, gjatë një bisedë të Sveçlës me njërin nga minatorët, kreu MPB-së dëgjohet teksa i fton minatorë që “hajde po punojmë bashkë, kushdo që vjedh me i nxanë”.

“Nuk mundemi me i nxan na minatorët”, ia kthen njëri nga minatorët, “nuk kem faj, ne punojmë në minierë”.

Sveçla insiston duke theksuar se “bashkë, bashkë, si kolektiv”.

“Sepse unë nuk e di kush po vjedh, ma mirë e dini ju sesa unë. E jona… si Ministri e Punëve të Brendshme dhe policia është me nxan secilin që vjedh djersën e juaj…”, shton ministri.

“Ju e dini më mirë kush janë ata”, i thotë minatori, derisa Sveçla përgjigjet se “jo unë s’e di, më mirë e dini ju se punoni me ta”.

Pastaj, minatori duke iu dridhur zëri, duke shpërfaqur plotë emocione i tregon Sveçlës dhe Rizvanollit për kushtet e rënda të tij dhe familjes së tij, për shkak se nuk mori pagë për dy muaj.

“Që dy muaj ditë pasha zotin… qetash kthehen fëmija mos me pas bukë me hangër’ ministresh, nuk e di a është ministresh a s’është, nuk e di kush është, e tum’ thanë fëmija a ka rrogë a s’ka, vallahi mu m’kish ardh marre me kanë në ven tanin, besomë s’isha ardh hiç. Me ardh unë në punë e me ua marrë fëmijëve bukën, kjo është vdekje”, thotë minatori.

Përgjigje këtë radhë minatori mori nga Ministrja Rizvanolli.

Ajo i thotë se atij se “duhesh me pas parasysh kush është duke ia marrë qat’ bukë”, duke aluduar kështu se dikush është duke vjedhur në minierë, derisa u tregoi atyre se si kjo ndërmarrje ka operuar me humbje.

Më 14 gusht, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të ndahen mbi 4 milionë euro për ndërmarrjen publike “Trepça”.

Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se ky vendim po meret pasi, sipas tij, minatorët s’kanë arritur që të sigurojnë pagat e tyre.

“Për ndërmarrjet publike do të ndajmë 4 milionë euro dedikuar për mbështetjen ndaj Trepçës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat. Duket se ka shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, ka thënë Kurti.

Ishte muaji i tretë me radhë që minatorët e kompleksit metalurgjik “Trepça”, nuk kanë arritur t’i marrin pagat, ndërsa të njëjtit vazhdojnë të grevojnë deri në momentin kur situata do t’i kthehet normalitetit.

“Ka shumë punëtorë mbi tokë, për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka” – Kurti ndan 4 milionë euro për pagat e minatorëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore