Kosova

Sveçla e njofton ambasadorin e Italisë për situatën e sigurisë në Kosovë


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të premten është takuar me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, të cilin e ka njoftuar për situatën e sigurisë në Kosovë.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave nga MPB-ja.

“Ministri Sveçla dhe Ambasadori De Riu biseduan për angazhimet aktuale të Ministrisë së Punëve të Brendshme, situatën e sigurisë si dhe fuqizimin e bashkëpunimit bilateral i cili do të konkretizohet në vizitën e Ministrit Sveçla në Itali që do të ketë në ditët në vijim”, thuhet në komunikatë.

Të njëjtit kanë folur edhe për ecurinë e bashkëpunimit policor dhe për mundësitë e avancimit të këtij bashkëpunimi.

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e saj mbeten pjesë bashkëpunuese dhe pro aktive me autoritetet italiane dhe është gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve në zbatim të mandatit të saj”.

Ura mbi lumin Ibër mund të jetë çështja e radhës që mund të rrit tensionet në Veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi që institucionet kosovare po kërkojnë që e njëjta të hapet për qarkullim të automjeteve.

Por, komuniteti ndërkombëtar po sugjeron që kjo temë të zgjidhet në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, teksa përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe Beogradi zyrtar po e kundërshtojnë ashpër një veprim të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore