Kosova

Sveçla: Asnjëherë s’jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit me AK-47


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, a ka cilësuar si të pavërtetë deklarimin e ish-Inspektorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadanit, i cili një ditë më parë në emisionin “Pressing” tha se Sveçla gjatë një vizite në Liqenin e Ujmanit ishte gjuajtur me armë.

“Unë asnjëherë nuk jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit, as me Ak 47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër. E gjitha është fabrikim i tij, arsyet nuk i di. Unë kam qenë në Ujman me barkë të shtunën së bashku me Kryeshefin e Ibër Lepencit dhe shefin e NjNSh-së së kufirit, vizitë e cila jo vetëm se ka shkuar shumë mirë por ka qenë edhe shumë produktive”, shkroi ai në Facebook.

“Unë as nuk do të reagoja ndaj kësaj gënjeshtre, siç nuk reagoj ndaj shumë të tjerave, po të mos njihej fakti se ky person ka mbajtur një pozitë ku integriteti do të duhej të ishte një ndër cilësitë kryesore”, shtoi.

Tutje, kreu i MBP-së ka theksuar se sulmet edhe mund të ndodhin, por ato as nuk e frikësojnë dhe as nuk e zmbrapsin.

“Unë veç lutem që nëse kjo të ndodhë, mos të pësojnë njerëzit përreth meje. Edhe po, shkoj shpesh edhe te Kukësi, Tropoja, Hasi e Dragashi, se e kam një amanet prej shumë gjeneratash për atë kufirin atje”, potencoi ai.

Të mërkurën, nën mbrojtën e policëve të Njësisë Speciale, Sveçla, është parë duke pirë kafe në Mitrovicë të Veriut, saktësisht afër urës së Ibrit në një lokal.

Ndërkaq i pyetur nga gazetarët se cila është arsyeja e vizitës në Veri, ai ka thënë shkurtimisht se ka ardhur për të pirë kafe.

Ministri Sveçla i ka shpeshtuar vizitat kohët e fundit në Veri. Në fillim të këtij muaji ishte për vizitë në pastiqerinë “Sharr”.

Por, pas kësaj vizite persona të panjohur kanë thyer xhamin në derën e lokalit dhe kanë hedhur koktej molotovi në këtë lokal.

Ai pati dënuar sulmin dhe kishte kërkuar nga organet përkatëse identifikimin sa më të shpejtë të kryesve e këtij akti kriminal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore