Lajme

Surovkin, cili është komandanti i ri i trupave ruse në Ukrainë?


Një oficer i rangut të lartë i dekoruar për luftën e zhvilluar në Siri, një curriculum që ka edhe eksperiencat në forcat e hapësirës ajrore, emër i përfshirë tashmë në “listën e zezë” të personazheve të sanksioneve nga Perëndimi.

Ky është në sintezë profili i gjeneralit, Sergey Surovkin, njeriu të cilit Putini i ka besuar sot komandën e “operacionit special” në Ukrainë, i cili sheh Rusinë duke u tërhequr si në Donbass ashtu edhe në rajonin e Kherson-it dhe që sot pësoi edhe bombardimin e urës në Krime.

Lajmi për ndryshimin u konfirmua në Telegram nga ministria e Mbrojtjes.

Ndryshimi i komandës ishte i befasishëm, por jo i papritur dhe Kremlini shpreson se gjenerali i ri mund të kthejë kursin e një konflikti tani shumë larg pritshmërive fillestare të Moskës.

Surovkin, 56 vjeç, siberian, krenohet me një karrierë shumë të larmishme.

Pas një eksperience fillestare në Afganistan me gradën e kapitenit, oficeri i lartë rrezikoi të përmbyste karrierën në vitin 1991 kur u arrestua (dhe u burgos për shtatë muaj) për pjesëmarrjen e tij në grushtin e shtetit të gushtit që synonte të rrëzonte Mikhail Gorbaçovin.

Ai u largua me një falje nga Boris Jelcin, i bindur se vetëm kishte zbatuar urdhrat nga lart.

Në vitin 2004 ai komandonte një batalion këmbësorie të vendosur në Çeçeni.

Hapi më i madh i karrierës ndodh në vitin 2017 kur merr komandën e forcave ruse të dislokuara në Siri: atij i njihet pika kthesë e konfliktit sepse nën komandën e tij Bashar al Assad arrin të rimarrë kontrollin e 50% të territorit sirian, gjë që i lejon atij të marrë titullin “heroi i Federatës Ruse”.

Ndërsa vazhdon të mbikëqyrë operacionet në Siri, Surovkin emërohet kreu i forcave ajrore të Moskës.

Në qershor 2022 ai u bë komandant i operacioneve në Ukrainë në sektorin jugor dhe nga sot ai është numri një i forcave të armatosura ruse në të gjithë territorin e pushtuar. Ndërrimi i gardës në krye të Ushtrisë së Moskës kishte ditë që pritej, veçanërisht pas disfatës në Donbass.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore