Pajisje

‘Superkompjuteri i ri i inteligjencës artificiale do të jetë më i shpejti në botë’


Meta Platforms, kompania mëmë e Facebook-ut, ka njoftuar se ekipi i vet hulumtues ka ndërtuar një superkompjuter të ri të inteligjencës artificiale.

Sipas vetë kompanisë teknologjike, ai do të jetë më i shpejti në botë kur të përfundojë në mesin e vitit 2022, tregon agjencia “Reuters” e lajmeve.

I ashtuquajturi SuperCluster i ri i Kërkimeve të Inteligjencës Artificiale (RSC) pritet ta ndihmojë kompaninë të ndërtojë modele më të mira të inteligjencës artificiale.

Këto mund të mësojnë nga triliona shembuj, të punojnë në qindra gjuhë dhe të analizojnë tekstin, imazhet dhe videot së bashku për të përcaktuar nëse përmbajtja është e dëmshme.

“Ky hulumtim jo vetëm që do të na ndihmojë t’i mbajmë njerëzit të sigurt në shërbimet tona sot, por edhe në të ardhmen, teksa ndërtojmë metaverse-t”, ka treguar kompania.

Metaverse, një term që ka gjeneruar shumë zhurmë muajt e fundit, i referohet idesë së mjediseve virtuale të përbashkëta në të cilat njerëzit mund të kenë akses përmes pajisjeve të ndryshme dhe ku mund të punojnë, luajnë dhe shoqërohen.

“Përvojat që po ndërtojmë për metaverse-t kërkojnë fuqi të madhe llogaritëse dhe RSC-ja do të mundësojë modele të reja të inteligjencës artificiale që mund të mësojnë nga triliona shembuj, të kuptojnë qindra gjuhë dhe më shumë”, ka thënë shefi Mark Zuckerberg.

Sipas Meta-s, RSC-ja ishte ndër superkompjuterët më të shpejtë të inteligjencës artificiale.

Një zëdhënës i kompanisë ka thënë se kompania kishte bashkëpunuar me ekipe nga Nvidia Corp, Pure Storage Inc dhe Penguin Computing Inc për të ndërtuar superkompjuterin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore