Sport

Superiore/ Vllaznia i merr barazimin Teutës me 10 lojtarë në fushë


Nuk ka shkuar më shumë se një barazim në shifrat 1-1 sfida mes Teutës dhe Vllaznisë. Ndeshja u luajt për javën e 11 në Abissnet Superiore.

Në “Elbasan Arena”, miqtë nga Shkodra mbetën me 10 lojtarë në fushë pas daljes me karton të kuq të Ante Aralica-s.

Kroati u ndëshkua direkt me kartonin e kuq në minutën e 33, për faull të rrezikshëm. Momenti u pa edhe në sistemin VAR.

Pjesa e parë e takimit u mbyll me rrjeta të paprekura. Në pjesën e dytë skuadrat do të shënonin nga një herë.

Fillmishit shënuan vendasit e Teutës. Lojtari nga Maqedonia e Veriut, Pepi Gorgiev, e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 55.

Rreth 15 minuta më vonë do të vinte dhe goli i barazimit. Liridon Latifi e dërgon pas krahëve të Pano Qirkos, topin e dhuruar nga brazilini, Victor da Silva.

Skuadrat ndajnë nga një pikë qe i çon përkatësisht, Vllazninë në kuotën e 17 pikëve dhe Teutën në kuotën e 14 pikëve. Shkodranët renditen në vendin e tretë dhe durrsakët në të pestin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore