Sport

Superiore: Sensoy debuton me fitore te Bylisi, Laçi poker Kastriotit


Kanë përfunduar dy ndeshjet e kësaj të mërkure në Abissnet Superioren e Shqipërisë. Takimet u zhvilluan për javën e 18-të të kampionatit. Në Ballsh, Bylisi ka arritur një fitore minimale 1-0 ndaj Vllaznisë. Në Laç, vendasit triumfuan bindshëm 4-1 ndaj Kastriotit.

Në takimin e zhvilluar në Ballsh, Bylisi arriti të fitonte përballë një kundërshtari i cili pak ditë më parë në të njëjtin stadium i mundi 2-0 për Kupën e Shqipërisë.

Goli i vetëm i takimit u realizua nga talenti brazilian, Felipe Ferreyra në minutën e 63-të të pjesës së dytë.

Kujtojmë se për Bylisin kjo është ndeshja e parë me Naci Sensoy në stol. Truko-kosovari rikthehet te Bylisi duke zëvendësuar të dorëhequrin Arian Bellai. Me këtë të fundit që u largua pas humbjes 4-1 ndaj Tiranës.

Në takimin tjetër, Laçi triumfoi me golat e Vasil Shkurtaj (14’), Sebastjan Spahiu (30’), Adeleke Akinyemi (49’) dhe Segerso Geci (90+2’). Për miqtë golin e nderit e shënoi Joan Çela (81’).

Me rezultatet e arritura në këto dy ndeshje, Vllaznia qëndron përkohësisht në vendin e tretë me 28 pikë. Laçi mban vendin e gjashtë me 23 pikë. Bylis kalon në vendin e shtatë me 20 pikë. Ndërsa, Kastrioti zbret në vendin e tetë me 19 pikë.

Kryesimin e Superiores e mban Tirana me 31 pikë dhe ndiqet nga Partizani me 30 pikë. Egnatia qëndron në vendin e katërt me 26 pikë, po aq sa dhe Erzeni.

Dy vendet e fundit në tabelën e klasifikimit shkojnë për Teutën që ka 18 pikë dhe Kukësin me 16 pikë.

Tre takimet e tjera të raundit të 18-të në Superiore do të zhvillohen të enjten: Egnatia – Kukësi, Partizani – Teuta dhe Erzeni – Tirana.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore