Muzikë

Sunny Hill përtej pritshmërisë…jo për të gjithë


Festivali Sunny Hill Tirana 2022 ka nisur zyrtarisht natën e 26 gushtit, me një publik rinor të etur për të parë yje të muzikës shqiptare e asaj botërore në skenën e madhe të improvizuar pranë liqenit të artificial të kryeqytetit dhe pritshmëritë u shpërblyen…edhe pse jo për të gjithë!

Ishin 10 artistë të ngjitur në skenë natën e parë të festivalit, për mbi gjashtë orë muzikë të servirur për publikun.

Me perëndimin e Diellit – por me një skenë më se Sunny – gjërat filluan të bëheshin edhe më interesante me ardhjen përballë dashamirësve të muzikës të emrave më të njohur të industrisë, të cilët janë pjesë e formatit.

A shkoi mirë gjithçka për të gjithë? Si performuan gjashtë emrat e parë “big”?

Dren Abazi – Perfeksionist i zakonshëm

Nuk është se mund të pritet që Dren Abazi të mos jetë në lartësinë e një skene si Sunny Hill. Fundja, netët live janë specialiteti i tij.

I thjeshtë, me bandën gjithnjë me vete, kitare dhe zërin e pangatërrueshëm, ai e zotëroi jo veç skenën, por edhe publikun.

Loja e dritave – ashtu si edhe të tjerët – e ndihmoi muzikantin të kishte atë element vizual plus, që mund ta çojë një performim të tillë nga thjesht i mirë dhe i zakonshëm, në “ja vlen të paguash paratë për ta ndjekur”.

Capital T – Surpriza e natës?

Shumë i dashur për publikun, por ndoshta jo të gjithë kishin ardhur posaçërisht për të në Sunny Hill.

E prapë, Capital T ishte ndër artistët, i cili shkëlqeu më së shumti natën e parë të koncertit. Ndër shqiptarët, pa diskutim më i miri…edhe përtej pritshmërive!

Qëndroi në skenë më së shumti nga të gjithë – rreth një orë – dhe i ofroi të pranishmëve thuajse gjithë repertorin e tij muzikor 10-vjeçar, që prej hiteve të adoleshencës së tij, kur këndonte “U bo vonë”.

Mesazhi politik nuk i mungoi po ashtu dhe ishte i vetmi, i cili e dha një të tillë.

“Nuk duam më viza për Kosovën”, teksa publiku e brohoriste e ia këndonte këngët një për një, në çdo rrokje.

Pa diskutim surpriza e natës!

Dafina shkëlqen – vetëm me kërcim…

Është fat i madh ai i Dafina Zeqirit që ka një publik të tillë që e ndjek e ia di këngët në memorie.

Më shumë në fakt këndoi publiku se vetë ajo!

Ndoshta pre e ndonjë virozë apo sëmundjeje? Nuk e tha as ajo vetë…

Zëri i saj thuajse nuk arriti fare deri tek dëgjuesit dhe më i zhurmshmi ishte shoqëruesi i saj i përhershëm, DJ Geek, i cili i kërkonte publikut të kërcente e këndonte.

Performanca më zhgënjyese e Sunny Hill që në nisje? Ka gjasë që po dhe s’mund t’i vëmë faj efektit live, të cilin ajo e ka treguar në herë të tjera se di ta bëjë dhe mirë.

Por, kjo thjesht nuk ishte nata e saj.

Tananai – Pak por saktë

Një nga dy italianët e ngjitur në skenë ishte artisti i ri italian Tananai, i cili për shkak të repertorit të limituar muzikor nuk qëndroi shumë në skenë, por ishte i përpiktë në gjithçka bënte.

Publikun e mbajti të ndezur dhe projektoi në skenë edhe një “headliner” me të cilin ka bashkëpunuar. Premton për më tej artisti i ri.

Fedez – Kur habitet artisti nga publiku

Eh, ç’të thuash. E kupton kur dikush ka lindur për skenën kur sheh në të Federico Lucia-n, i njohur në art si Fedez.

Artisti italian ishte edhe një nga dy “headliner”-ët gjatë natës së parë së Sunny Hill dhe e dëshmoi këtë.

Megjithatë, përtej performancës brilante pa asnjë gabim në skenë, u duk sikur Fedez nuk ishte i përgatitur për çfarë do e priste në Tiranë, pasi pritja që i rezervoi publiku, ishte e zjarrtë, deri aty sa t’i këndoheshin këngët a capella.

Jo thjesht këngëtar, por zbavitës i turmës, si formati i një artisti të madh të kalibrit botëror.

Bëri edhe një “premtim” të madh në fund, kur pa se si e pritën: Herën tjetër që do të vij në Tiranë, hyrja do të jetë falas. Kështu tha me shaka.

Por, përtej shakave duhet kuptuar se me çfarë kemi të bëjmë kur vjen fjala tek artistët e huaj.

Action Bronson – Shumë i fortë për një publik të lodhur

“Dezertorët” u ndëshkuan. Ndëshkimi, ishte se nuk e panë talentin bruto të Action Bronson në skenë.

Ndoshta lodhja bëri të vetën. Thuajse gjysma e publikut u largua kur ai u ngjit në skenë rreth 20 minuta pas mesnate.

Por humbën ata që ikën.

Performanca e Bronson ishte tipike e tija – e fortë, e ashpër, suburbane e New York-ut, ku ai jeton.

Më shumë habi të vjen se si ai i ka memorizuar tekstet e tija me 1 mijë fjalë secilin, se sa energjia që kishte në skenë.

Nata e dytë ndërkaq, do t’i kushtohet më së shumti muzikës elektronike, me emra si Regard, Afrojack dhe Hardwell, të cilët do të zënë setin.

Është koha e disk jokey-ve t’i tregojnë publikut se me çfarë kemi të bëjmë.

Gati për të aguar sërish në “Kodrën e Diellit”?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore