Muzikë

Sunny Hill – me pak pika shiu – pranë përsosmërisë


As nuk e fshihnin atë “mallkim” gjysmë të heshtur se me gjithë shpirt kishin dashur të binte shi i rrëmbyeshëm gjatë Sunny Hill Festival në Tiranë, në fundjavën e fundit të gushtit.

Pse ta mohojmë edhe faktin se nuk kishte si të mos kthehej në politike edhe një ngjarje muzikore kryeqytetase, e cila për nga përmasat, i ka premisat të kthehet jo vetëm në më të madhen të vitit, por edhe në një traditë për t’u pasur zili në gjithë rajonin.

A pati pika shiu mbi këtë “Diell” të zbritur në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës? E ku nuk ka fundja!

Por, të jemi të qartë: Sunny Hill Tirana 2022, është gurthemeli më i shëndetshëm që mund të hidhej.

Këtë nuk ka pse ta thotë askush përveç artistëve me famë botërore të ngjitur në skenë.

Mbylljen – paparashikueshmërisht spektakolare – e bëri artisti britanik Stormzy, i cili për të parën herën vinte në Shqipëri.

E dini ç’ndodhi një orë pasi ai u ngjit në skenë dhe tha disa herë se “publiku i Tiranës është më i zjarrti për të cilin ka performuar”?

Zbriti nga skena nën brohorimat e emrit të tij dhe filloi të shkrepte fotografi me publikun, me një buzëqeshje “diellore” nga cepi më cep, sepse po, gjithë fundjava ia vlejti!

Vetë problemet, qëndrojnë në aspekte teknike të tipit, tualete shumë të pakta në numër për aq persona (rreth 1 tualet për 1 mijë të pranishëm), radhë të gjata për rimbushjen e llogarive, të cilat mundësonin pagesën cashless (shqiptarët ende nuk janë mësuar me teknologji të tilla edhe pse përdorin i-Phone-ët e fundit) apo faktit se kontrollet “shumë të rrepta” të sigurisë, nuk ishin edhe aq të rrepta (vështirë të evitoje aromën e hashashit cep më cep të mjediseve).

Ka një problem edhe me ata, të cilët performuan? Episode sporadike. Si të thuash, nuk mund ta përdhosësh që vitin e parë skenën e një ngjarjeje kaq të madhe, me personazhe pa identitet të botës së “show bizz-it” shqiptar, të cilët as lidhje me muzikën nuk kanë (po për vëllezërit Veshaj po flasim), apo ndonjë fiasco-je të paparashikuar si ajo e Dafina Zeqirit natën e parë të festivalit.

Veçse, a mund të mohohet se cilësia e përgjithshme e artistëve – të gjithë performues live – ishte më se e kënaqshme? E pamundur t’i dalësh kundër kësaj gjëje.

Fantazi është edhe mënyra se si disa flasin mbi çmimin e biletave të një koncerti të përmasave të tilla. Le të jemi realistë, nuk është buka e përditshme, është diçka zbavitëse, vlera e të cilës nuk qëndron as te paratë, por tek ndjesia.

Apo të kalojmë tek teoritë konspirative, në bazë të të cilave gjithçka paska shërbyer për të konvertuar rininë shqiptare në një entitet të shthurur, i cili shërbehet nga një klan okult, që ka për qëllim të zhvlerësojë familjen dhe ta zhdukë këtë koncept, e bashkë me të numrin e popullsisë?

Patetike…!

Sunny Hill Festival meriton një duartrokitje të madhe për mënyrën se si u zhvillua dhe publiku – pse jo – meriton një duartrokitje po aq të madhe për besimin që i dha e që iu shpërblye.

Ishte aq pranë përsosmërisë sa mund të ishte, as më pak e as më shumë.

PS: “VIP zone”, ju lutem zbrisni me këmbë në tokë, literalisht!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore