Lajme

Sulmohet nga aktivistët një tjetër vepër arti në një muze të Austrisë


Në Austri, aktivistët kundër krizës klimatike kanë hedhur një substancë të zezë mbi pikturën e Gustav Klimt, “Vdekja dhe jeta”.

Ky është akti më i fundit që synon veprat e njohura të artit në të gjithë botën.

Dy aktivistët që i përkasin një grupi të quajtur “Brezi i fundit” e nisën sulmin ndaj pikturës në Muzeun Leopold në Vjenë pas orës 11:00 të mëngjesit me orën lokale.

Pasi e hodhën lëndën mbi vepër, një prej tyre u ngjit në xhamin që mbron pikturën.

Pas një vlerësimi fillestar, muzeu ka njoftuar se ndërsa piktura dhe korniza origjinale ishin të padëmtuara, “dëmtimi i xhamit dhe kornizës së sigurisë, si dhe i murit dhe i dyshemesë është i dukshëm”.

Menjëherë pas sulmit, forcat policore shkuan në vendngjarje dhe u morën të dhënat personale aktivistëve.

Klimt e ka pikturuar veprën “Vdekja dhe jeta” në vitin 1910 dhe e ka ripunuar atë në vitet 1912-1913 dhe përsëri në vitet 1915-1916.

Ai e ka përshkruar vdekjen në të majtë dhe jetën me burra, gra dhe fëmijë në të djathtë.

Me sa duket, aktivistët kundra ndryshimeve klimatike që ‘sulmojnë’ kryeveprat në mbarë botën nuk janë plotësisht të vetëdijshëm se sa delikate janë veprat e artit.

Të paktën kështu kanë paralajmëruar drejtuesit e thuajse 100 galerive, duke thënë se janë “tronditur tepër” nga sulmet.

Këtë vit, veprat e famshme të artit janë sulmuar nga protestues nga grupe të ndryshme aktiviste që kërkojnë veprim për krizën klimatike.

Incidentet përfshijnë një grup mjedisor gjerman që hodhi pure patatesh në një pikturë të Claude Monet në një muze të Potsdam-it dhe aktivistë nga Just Stop Oil që hodhën supë me domate mbi Sunflowers të Vincent van Gogh në Galerinë Kombëtare në Londër.

Po ashtu një grup që hodhi supë me bizele mbi një kryevepër të Van Gogh në Romë, aktivistët që synojnë pikturat e Pikasos në Melburn dhe aktivistë që kanë synuar vepra nga Botticelli, Boccioni dhe Van Gogh.

Së fundmi, dy protestues nga grupi Stop Fossil Fuel Subsidies ‘shkarravitën’ vepra në Galerinë Kombëtare të Australisë në Canberra.

“Javët e fundit, ka pasur disa sulme ndaj veprave të artit në koleksionet e muzeumeve ndërkombëtare. Aktivistët përgjegjës nënvlerësojnë rëndë brishtësinë e këtyre objekteve të pazëvendësueshme, të cilat duhet të ruhen si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore”, kanë thënë drejtuesit e galerive.

Sipas tyre, muzetë janë vende ku njerëz me prejardhje të ndryshme mund të angazhohen në dialog dhe të cilat mundësojnë diskursin social.

“Në këtë kuptim, detyrat thelbësore të muzeut si institucion janë tani më të rëndësishme se kurrë. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë aksesin e drejtpërdrejtë në trashëgiminë kulturore. Dhe ne do ta mbajmë muzeun si një hapësirë ​​të lirë për komunikim social”, kanë shtuar ata.

Kjo deklaratë u nënshkrua nga pothuajse 100 drejtorë të institucioneve të profilit të lartë, shumë prej të cilëve tashmë janë shënjestruar nga aktivistët.

Deri më tani, shumica e galerive kanë mbetur të mbyllura pas sulmeve, duke mos dashur të tërheqin vëmendjen ndaj tyre apo protokolleve të tyre të sigurisë.

Sakaq, asnjë nga veprat e sulmuara nuk ka pasur dëmtime të qëndrueshme pasi shumë prej tyre janë të mbuluara me xham.

Aktivistët po i synojnë veprat më të famshme jo për t’i dëmtuar ato, por për të tërhequr vëmendjen e mediave ndaj dëmeve të qëndrueshme të krizës klimatike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore