Kosova

Sulmohet me mjet shpërthyes trafoja e energjisë elektrike në Veri


Veri

Mbrëmjen e 23 qershorit, rreth orës 22:40, është dëgjuar një shpërthim në pjesën veriore të Mitrovicës, afër trafos e cila furnizon me energji elektrike këtë pjesë të qytetit.

Besim Hoti, zëdhënës i Policisë në Veri të Mitrovicës ka thënë për Albanian post, se policia ka dalë në vend ngjarje menjëherë pasi është dëgjuar shpërthimi.

“Aty ka pas një zjarr mbrëmë në trafo, ne kemi mëndu që fillimisht është për shkak të ngarkesës elektrike, por pas hetimeve në vendin e ngjarjes është vërtetu që ka pas një shpërthim, një mjet shpërthyes i cili prej faktori njeri është bë qëllimshëm”.

“Njësitet e specializuara e kanë konstatuar këtë, ata që merren me çështje të deminimit, kanë treguar se është përdor një mjet shpërthyes në atë rast”, tregoi Hoti për Albanian Post.

Hoti njoftoi se Policia me njësitet përkatëse ëhstë duke i zhvilluar hetimet në këtë drejtim, në zjarrvënie të qëllimshme.

“Por, e rëndësishme është që nuk ka të lënduar, dëmet materiale ne nuk i dimë, nuk mund ti përcaktojmë, ato i bën ata të distribucionit sigurisht”, tregoi Hoti.

Zëdhënësi i Policisë së Veri të Mitrovicës shtoi se nuk bëhet fjalë për “Elektroserverin”.

“Bëhet fjalë për trafon që ka ekzistuar deri tani, trafoja që ka furnizuar me energji elektrike këtë pjesë të Mitrovicës. Nuk katë bëj me Eletktroserverin, marrëveshja sa u bë, ajo duhet të funksinalizohet njëherë”, shtoi Hoti.

Pas disa orësh ndërprerje të energjisë elektrike, zëdhënësi i Policisë për Mitrovicën e veriut, Besim Hoti, bëri të ditur se energjia elektrike është rikthyer.

“Pas disa orësh energjia elektrike është riaktivizuar sërish në veri, tash energji elektrike ka në atë pjesë”, përfundoi Hoti.

Një ditë më parë, Iniciativa qytetare “Mbijetesa serbe”, ka ftuar qytetarët e komunave veriore të Kosovës, të protestojnë kundër marrëveshjes së energjisë së nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë, me të cilën do të mundësohet faturimi i energjisë elektrike në katër komunat e Mitrovicës së Veriut.

Në një deklaratë për media, organizatorët kanë bërë thirrje “të gjithë qytetarëve të mendimit të lirë të bashkohen për të shprehur indinjatën e tyre kundër kësaj marrëveshjeje” të premten e 24 qershorit në orën 19:00 te monumenti i “Car Lazarit”.

Lideri i kësaj iniciative qytetare, Aleksandër Arseniejviç, ka thënë për të përditshmen serbe “Danas”, se me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, ndikim kryesor në operatorin Elektrosever, do të kenë biznesmen nga Lista Serbe, siç është rasti me kompaninë private, MTS, që është pasardhëse e telekomit në Veri.

Duke vlerësuar se negociatat kanë qenë jo transparente, prandaj vendimi ka goditur qytetarët e papërgatitur, ai thotë se problemi ka mundur të zgjidhet ndryshe, sepse kështu Lista Serbe privatizon dhe monopolizon gjithçka në Veri.

“Problemi është se Kurti thotë se do të duhet të paguhen të gjitha borxhet dhe ne ende nuk e dimë se kujt do ta paguajmë, as kur do ta paguajmë rrymën, ka thënë Arseniejviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore