Aplikacione

Sulmohet aplikacioni Clubhouse


Aplikacioni i bisedave audio, Clubhouse, është përballur me një sulmues i cili ka provuar të marrë nga telefoni një audio drejpërdrejtë nga platforma.

Agjensia e lajmeve, Bloomberg, shkruan se sulmi ka ndodhur pa kaluar ende një javë nga njoftimi i aplikacionit të bisedave audio se po ndërmerrte hapa për të siguruar që të dhënat e përdoruesve nuk mund të vidheshin nga hacker-a ose spiunë dashakeqës.

Një zëdhënëse e Clubhouse-it, Reema Bahnasy, ka sqaruar se një përdorues i paidentifikuar ka qenë në gjendje të transmetojë burimet audio të aplikacionit.

Bloomberg tregon se pas kësaj gjetjeje, kompania e ka ndaluar përgjithmonë atë përdorues dhe ka instaluar masa të reja mbrojtëse për të parandaluar një përsëritje të sulmit.

Mirëpo, studjuesit pretendojnë se platforma nuk mund të jetë në gjendje të bëjë premtime të këtyre përmasave për të parandaluar sulmet e hacker-ave.

“Clubhouse-i nuk mund të sigurojë ndonjë premtim të privatësisë për bisedat e mbajtura kudo në botë”, ka deklaruar drejtori i Observatorit të Internetit në Stanford, Alex Stamos. Observatori ka qenë i pari që ngriti shqetësimet e lidhura me sigurinë më datë 13 shkurt.

Stamos ka shtuar se aplikacioni mbështetet në një startup me bazë në Shanghai të quajtur Agora Inc i cili trajton pjesën më të madhe të operacioneve. Nga ana tjetër, vet aplikacioni është përgjegjës për përvojën e përdoruesve si shtimin e miqve të rinj apo gjetjen e dhomave të bisedave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore