Lajme

Sulmi xhihadist në Mali shkaktoi më shumë se 70 viktima


Një sulm xhihadist në kryeqytetin e Mali-t shkaktoi më shumë se 70 viktima dhe 200 të plagosur, thanë të enjten burimet e sigurisë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Sulmi synonte një kamp trajnimi të policisë ushtarake dhe një aeroport ushtarak, raporton AFP-ja.

Një burim sigurie duke folur në kushte anonimiteti zbuloi se 77 persona ishin vrarë dhe 255 u plagosën në sulmet e së martës në Bamako.

Një dokument zyrtar konfidencial i autentifikuar e tregon numrin në rreth 100, duke përmendur emrat e 81 viktimave.

Edicioni i së përditshmes “Le Soir” raportoi se funeralet e rreth 50 studentëve të policisë ushtarake do të bëheshin në të njëjtën ditë.

Autoritetet e udhëhequra nga ushtria e Malit deri më tani nuk kanë dhënë një numër të saktë të fataliteteve nga sulmet, të pretenduara nga grupi xhihadist JNIM i lidhur me Al-Qaeda’n.

Operacioni ishte i pari i këtij lloji në vite dhe i dha një goditje të fortë juntës në pushtet, thonë ekspertët.

Kryeqyteti i Malit normalisht është i kursyer nga lloji i sulmeve që ndodhin pothuajse çdo ditë në disa pjesë të vendit të Afrikës Perëndimore.

JNIM-ja pretendoi se disa dhjetëra luftëtarë të saj kishin vrarë dhe plagosur “qindra” nga radhët kundërshtare, duke përfshirë anëtarë të grupit paraushtarak rus Wagner.

Sulmi erdhi një ditë pasi Mali, Nigeri dhe Burkina Faso të udhëhequr nga junta shënuan një vit që nga krijimi i grupit të tyre të shkëputur, Aleanca e Shteteve të Sahelit (AES).

Treshja ka qenë nën sundimin ushtarak pas një sërë grushtesh shteti që nga viti 2020, dhe në janar thanë se po prishnin lidhjet me bllokun rajonal ECOWAS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore