Lajme

Sulmi rus ndaj Ukrainës çon çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2014


Ilustrim

Aksionet evropiane, amerikane dhe ato në Moskë, kanë rënë ndjeshëm. Tregtarët kanë grumbulluar borxhe qeveritare me rrezik të ulët dhe ari arriti në nivelin më të lartë në 17 muaj, pasi presidenti rus Vladimir Putin filloi një pushtim ushtarak në Ukrainë.

Pas raportimit të shpërthimeve pranë Kievit në mëngjesin e së enjtes, indeksi rajonal i aksioneve Stoxx Europe 600 humbi deri në 4.2 përqind, duke e çuar atë përmes një korrigjimi teknik – i përcaktuar si një rënie prej 10 përqind. Xetra Dax e Gjermanisë ra me 4.8 përqind, me rënie të ngjashme në shumicën e bursave evropiane.

Çmimi i arit u rrit me më shumë se 3 përqind në pothuajse 1 mijë e 974 dollarë – më i larti që nga shtatori i vitit 2020.

Përpara takimit të liderëve të Bashkimit Evropian të enjten, për vendosjen e sanksione të mëtejshme kundër Rusisë, nafta e papërpunuar Brent u rrit me 9.2 përqind në 105.79 dollarë, duke kapërcyer pragun e 100 dollarëve për herë të parë që nga viti 2014. Kontratat evropiane të gazit natyror u rritën 40 përqind në 117 euro për megavat orë.

Nafta e papërpunuar Brent arriti nivelin më të lartë që nga viti 2014

Përshkallëzimi i konfliktit në Ukrainë po dominon narrativën e tregut global për shkak të potencialit që energjia dhe burimet e Rusisë të shkëputen nga zinxhirët e furnizimit global, duke përkeqësuar inflacionin tashmë të lartë dhe duke nxitur bankat qendrore të përgjigjen me rritje të shpejtë të normave të interesit.

“Një situatë që mbyt seriozisht furnizimet me energji nga Rusia do të ndikojë në botë si një goditje negative e furnizimit”, tha Sunil Krishnan, kreu i fondeve me shumë asete në Aviva Investors.

“Tensioni gjeopolitik po rrit çmimet e naftës, që do të thotë se inflacioni që u konsiderua kalimtar disa muaj më parë mund të zgjasë edhe më gjatë”, shtoi Trevor Greetham, kreu i multi-asseteve në “Royal London Asset Management”.

“Një ndikim i madh në inflacion në SHBA dhe Evropë do të thotë se bankat qendrore mund të rrisin normat e interesit më shumë se sa pritej, gjë që sjell rrezikun e stagflacionit ekonomik”.

Indeksi i dollarit, i cili tenton të rritet kur stresi i tregut rrit kërkesën për monedhën rezervë, u rrit pothuajse 1 përqind. Euro ra 1.2 përqind kundrejt dollarit në 1.117 dollarë.

Kurse në Azi, indeksi standard i Hong Kongut Hang Seng ra më shumë se 3 përqind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore