Lajme

Sulmi në Moskë, dy terroristët e ardhur nga Stambolli


Ai është Shamsidin Fariduni, 25-vjeçari taxhik, të cilin hetuesit rusë e konsiderojnë organizator të sulmit terrorist në periferi të Moskës, pretenduar nga ISIS K – dega afgane e grupit xhihadist.

Rezulton se “rreth një muaj më parë” ai u kontaktua nga një “asistent” që i ofroi 5 mijë euro për të kryer sulmin.

Në Instagram mund të gjenden gjurmët e qëndrimit të tij në Turqi: më 23 shkurt ai ka publikuar tetë fotografi, gjashtë prej të cilave janë bërë në xhaminë Fatih në Stamboll, në lagjen me të njëjtin emër, më konservatorja në qytet.

Ngjashëm si një tjetër nga katër sulmuesit – 30-vjeçari Saidarkrami Rachabalizoda – ai ishte në Turqi për zgjatjen e lejes së qëndrimit pa viza në Federatën Ruse.

Fariduni kishte mbërritur më 20 shkurt për t’u larguar, sipas tij, më 4 mars, me të njëjtin fluturim si Rachabalizoda që kishte mbërritur më 5 janar.

Një zyrtar i shërbimeve turke të sigurisë konfirmoi qëndrimin turk të dy sulmuesve, ndonëse datën e nisjes së tyre e caktoi 2 mars.

“Dy të dyshuarit, me origjinë nga Taxhikistani, kishin jetuar ligjërisht në Moskë për një kohë të gjatë dhe ishin të lirë të udhëtonin pa pengesa midis Rusisë dhe Turqisë në mungesë të një urdhër arresti kundër tyre”, ka treguar ai.

“Ne besojmë se këta dy individë janë radikalizuar në Rusi, duke pasur parasysh qëndrimin e tyre të shkurtër në Turqi”, ka sqaruar më tej zyrtari për “AFP”-në.

Po ashtu ka shtuar se Fariduni u largua nga hoteli i tij më 27 shkurt, ndërsa Rachabalizoda u largua më 21 janar.

Javë para largimit të tyre nga vendi.

Sipas disa analistëve, udhëtimi me justifikimin e rinovimit të vizës mund të ishte përdorur për të marrë paratë e nevojshme për të mbuluar shpenzimet e sulmit.

Nuk duket rastësi që, midis 25 dhe 26 marsit, autoritetet turke arrestuan 147 militantë të dyshuar të Shtetit Islamik në 30 provinca të vendit.

Bastisja pasoi 40 arrestime të dielën dhe 24 të shtunën.

Gjithsej 211 xhihadistë të dyshuar u arrestuan dhe u ndaluan nga policia turke në ditët pas sulmit në Crocus.

Në fillim të luftës civile në Siri, dhjetëra mijëra luftëtarë të huaj kaluan ilegalisht kufirin turk për t’iu bashkuar ISIS dhe grupeve të tjera xhihadiste dhe për të luftuar kundër regjimit në Damask.

E kur ISIS u mund në vitin 2019, shumë xhihadistë gjetën strehim në Turqi, e cila, falë rrugëve ajrore, tokësore dhe detare, garanton kalim të lehtë drejt objektivave të mundshëm të sulmeve.

Shtetasit taxhik, përgjegjës për sulmin e ISIS më 3 janar në Kerman, në jug të Iranit, kishin kaluar edhe nga Turqia për të shkuar në Afganistan, ku ishin trajnuar.

Presidenca turke u tregua e kujdesshme që të mos përmendte lëvizjet turke të sulmuesve gjatë raportimit të bisedës telefonike mes Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin.

Dhe autoritetet ruse nuk kanë komentuar qëndrimin e të dyve në megalopolin e Bosforit, pasi synojnë të shtyjnë të ashtuquajturën “gjurmë ukrainase” dhe të akuzojnë Kievin për bashkëpunim me ISIS.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova, ka thënë sakaq se ishte “jashtëzakonisht e vështirë të besohej” se Shteti Islamik kishte kapacitetin për të nisur sulmin, i cili shkaktoi 140 të vdekur.

Ajo ringjalli gjithashtu akuzën, e pambështetur me prova, se Kievi dhe Perëndimi qëndronin pas sulmit.

Por i pari që e mohoi ishte aleati bjellorus, Alexander Lukashenko, i cili ka thënë se sulmuesit, pas sulmit, ishin përpjekur të iknin në Bjellorusi përpara se të ktheheshin në kufirin me Ukrainën dhe të arrestoheshin.

Një nga pyetjet që ende mbetet pa përgjigje është se pse të katërt nuk u ndaluan më herët.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore