Lajme

Sulmi në Capitol – dështim i qeverisë, policisë dhe shërbimeve sekrete


Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi trazirat që ndodhën në Capitol, më 6 janar 2021, pas protestës së thirrur nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Në atë trazirë të përgjakshme mbetën të vrarë pesë persona, ndërsa u plagosën mbi 140 të tjerë.

Sipas një raporti të publikuar nga Senati Amerikan, në atë ngjarje ka dështuar qeveria, ushtria dhe Agjencitë e Shërbimit Sekret.

Më tej, në raport shkruhet se “ka pasur një ndarje të theksuar mes agjencive të inteligjencës dhe mungesë të trajnimit e përgatitjes për oficerët e policisë”.

Po ashtu, në parashtresën me shkrim, dalin në pah detaje që lidhen me oficerët e policisë të lënduar në vijat e frontit. Ata pësuan djegie kimike, lëndime të trurit dhe thyerje të kockave.

Sipas Senatit, rekomandohet ndryshim i menjëhershëm në udhëheqjen e policisë. Në këtë mënyrë, shefit të policisë së Capitol-it duhet t’i jepet më shumë autoritet.

“Ky raport është i rëndësishëm. Nëpërmjet tij ne mund të bëjmë disa përmirësime të menjëhershme të situatës së sigurisë këtu në Capitol”, tha senatori i Michigan-it Gary Peters, i cili mban edhe postin e kryetarit të komitetit të çështjeve qeveritare të sigurisë.

Rrugëtimi i hetimit

Dhoma e Senatit miratoi në maj legjislacionin për t’u ngritur një komision, ngjashëm me atë që  kishte hetuar sulmin terrorist të 11 shtatorit, dy dekada më parë. Por nuk arriti të siguronte 60 votat e nevojshme.

Ishin senatorët republikanë në Senat, ata që bllokuan amendamentin e një ligji, sipas të cilit përkufizohej ngritja e një komisioni hetimor të posaçëm për sulmet në Capitol.

Republikani në panelin e sigurisë, senatori Roy Blunt, kundërshtoi komisionin, me argumentin se hetimi do të zgjaste shumë.

Ai theksoi se rekomandimet e bëra në Senat mund të zbatohen më shpejt dhe jo të pritej kaq shumë.

Në raport tregohet sesi roja u vonua për orë të tëra, ndërsa zyrtarët në agjenci të shumta ndërmorën hapa burokratikë për të liruar njerëzit.

Po ashtu, aty zbulohet se Pentagoni mori shumë kohë “duke planifikuar misionin” dhe duke kërkuar aprovime para se të ndërhynte.

Senatorët u treguan shumë kritikë ndaj bordit të policisë në Capitol, një panel i përbërë nga tre anëtarë, ku përfshihen Shefat e Sigurimit të Dhomës.

Tanimë Bordit i kërkohet të miratojë kërkesat e shefit të policisë, edhe në situata urgjente.

Senatorët gjithashtu kritikojnë FBI-në dhe Departamentin e Sigurisë së SHBA-ve për minimizimin e kërcënimeve në internet.

Në një përgjigje zyrtare ndaj këtij raporti, Policia e Capitol-it pranoi nevojën për përmirësime, disa prej të cilave ata thanë se “po i bënin tashmë”.

Gjatë sulmit, shkruhet në raport, policia u komprometua rëndë nga dështimet e shumta: inteligjenca e dobët, planifikimi i dobët, pajisjet e gabuara dhe mungesa e udhëheqjes.

Hetimet e mëparshme

Një ish-oficer i Inteligjencës së Marinës Amerikane, dhe zyrtar i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në Virgina, është paraqitur si “figura kyçe” në hetimin federal, për protestat e Capitol-it.

Prokurorët e SHBA-ve ngrenë pretendimin se ai ka organizuar dhe trajnuar një grup të milicisë.

Thomas Edward Caldwell, 66 vjeç, ka përdorur aftësitë e tij ushtarake për të marrë snajpera dhe armë në një anije, javë përpara ngjarjes së Capitol-it.

Ai akuzohet për komplot, pengim të një procesi zyrtar, shkelje dhe shkatërrim të pronës qeveritare.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Caldwell i ka pritur anëtarët e tjerë në banesën e tij, ku është koordinuar me ta.

Caldwell është themeluesi i Mbajtësve të Premtimit, një grup pjesëmarrës në sulm. Ata komunikonin me njëri-tjetrin nëpërmjet një programi të koduar.

Avokati i ish-ushtarakut ka insistuar në pafajësinë e klientit të tij. Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh i indinjuar për mosmarrjen parasysh së moshës dhe sëmundjes së të akuzuarit.

Profili i Caldwell-it

Caldwell ka punuar si zyrtar qeveritar dhe kontraktor. Gjatë hetimeve të kryera tregohet sesi ai ka fituar tendera të ndryshme në fushën e teknologjisë së informacionit. Këtu përfshihet dhe shuma prej 500 mijë dollarësh e marrë nga administrata e Zbatimit të Barnave, për shërbimet e lidhura me kompjuterin.

Caldwell organizoi protestat e nëntorit, por këtë herë ai u sigurua të pajisej me mjete të luftës.

Ai bleu on line disa armë zjarri të kamuflura, që dukeshin si aparate telefonike.

Anëtarët e grupit të tij kanë bashkëpunuar me grupe të tjera të dhunshme.

Prokurorët i kanë shtuar akuzat për të, me argumentin se ai kishte hartuar një listë vdekjeje, ku përfshiheshin edhe emra të zyrtarëve shtetërorë.

Për ta nuk ka rëndësi nëse ai nuk ka qenë i pranishëm në sulm apo jo , por ai si “trajner ka pasur përgjegjësinë kryesore se çfarë do të bënin lojtarët e tij”.

Figura të tjera të pranishme në sulm

Mes bashkëpunëtorëve të Caldwell-it ishte dhe Jessica Watkins, e cila është cilësuar “figurë kryesore” në dhunë dhe shumë e rrezikshme për t’u liruar.

Në një bastisje të shtëpisë së saj, më 17 janar, autoritetet federale raportuan se gjetën pajisje mbrojtëse dhe mjete luftarake, pajisje mjekësore, një mini-dron dhe armë zjarri.

Por, Watkins nuk ka pranuar asnjë avokat mbrojtës, me pretendimin se ngjarja e Capitol-it ishte një protestë paqësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore