Shqipëria

Sulmi në Banjskë ishte kronika e zezë e një vdekjeje të paralajmëruar, thotë Rama


Kreu i Qeverisë, Edi Rama kujtoi sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë.

“Shfaqja ogurkeqe e hijes së përgjakshme të së shkuarës, me armë e me uniforma ushtarake, në skenën e ngarkuar me frymën e ekstremizmit nacionalist serb, armatimet e trafikuara për sulm e jo për mbrojtje dhe thasët e financimeve kriminale në veriun e Kosovës, ishte si kronika e zezë e një vdekjeje të paralajmëruar”, u shpreh fillimisht Rama.

Sipas tij, lajmi i vrasjes së efektivit të policisë së Kosovës në krye të detyrës ishte si “një bombë, që shpërtheu me forcën tronditëse të një sinjali të paekuivok përshkallëzimi të konfliktit në atë skenë”.

Në veri të Kosovës, shtoi kryeministri shqiptar, prodhohet tensioni që kthen mbrapsht sistematikisht procesin e dialogut të normalizimit mes Kosovës e Serbisë dhe “ndez llambën e vjetër të krizës ballkanike në sytë e botës demokratike”.

“Zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjes pas shpërthimit, kishte pamjen e një materiali arkivor nga lufta e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ku ngujimi i kriminelëve serbë në një manastir ishte si një ftesë tejet provokuese, për ta çuar konfliktin e armatosur në një pikë pa kthim dhe prodhuar alibira haluçinante vetëmbrojtjeje nga terrori imagjinar i shtetit të Kosovës”, nënvizoi më tej Rama.

Gjatë fjalës së tij, ai konsideroi se fundi i ngjarjes ishte shembullor, falë veprimeve të forcave të sigurisë së Kosovës.

Këta të fundit, për Ramën, nuk ranë në kurthin e dëshiruar prej organizatorëve, po me gjakftohtësi të admirueshme dhe profesionalizëm të lartë, e neutralizuan rrezikun e zgjerimit e të zgjatjes së paparashikueshme të konfliktit.

Kjo, duke iu përgjigjur në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë të mundshme, “provokimit djallëzor të grupit kriminal serb”.

“Ndërsa epilogu i ngjarjes, shpallja e zisë kombëtare nga autoritetet e Beogradit për kriminelët e eliminuar nga forcat e sigurisë së Kosovës, ishte shëmbëlltyra e gjallë e hijes të së shkuarës, e cila bashkëjeton me Serbinë qysh nga disfata e saj finale e vitit 1999 në Kosovë, mu si hija që e ndjek kudo njeriun, sapo del drita”, mendon kryeministri Edi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore