Lajme

Sulmet ndaj Osmanit, Thaçi: Kush mundohet t’ia thyejë këmbët, do ua thyej turinjtë


Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

“Ky është premtimi që mund t’iu jap juve. Pavarësisht nga pozita, nuk do të tërhiqem. Njëherë për njëherë ia kam dhënë një detyrë vetes: qëndroi para kandidatit tonë Bujarit [Osmani]. Gjithë ata që mundohen t’ia thyejnë këmbët, jam në mbrojtje t’ua thyej turinjtë”, ka thënë Menduh Thaçi.

Këto komente, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare i ka bërë në hapjen e shtabit zgjedhor te Nëndega 1 dhe 2 në Tetovë, ku i pranishëm ishte edhe kandidati i koalicionit “Fronti Evropian” – pjesë e të cilit është edhe PDSH-ja – për President të Maqedonisë së Veriut.

Kjo deklaratë e Thaçit vjen në një kohë kur sulmet ndaj Osmanit, veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe opozita shqiptare në Maqedoni të Veriut, janë intensifikuar, posaçërisht sa i përket planit 9-pikësh të OSBE-së për de-eskalimin e situatës në Veri të Kosovës, që ishte propozuar në kohën kur Osmani ka qenë kryesues i kësaj organizate.

“Kjo është detyra momentale”, iu tha Thaçi simpatizantëve të kësaj partie, të cilëve iu kërkoi që ta votojnë Osmanin në zgjedhjet presidenciale.

Në vlerësimin e Thaçit, Osmani është “njeri serioz, por edhe “profesionist i mirë”.

“E njeh si funksionon shteti dhe, për shqiptarët – shumë e rëndësishëm – e njeh si funksionon bashkësia ndërkombëtare. Është meritor padiskutim për përmirësimin e shqiptarëve të Maqedonisë në botë në veçanti, dhe imazhit të shqiptarëve në përgjithësi”, shtoi.

Në këtë drejtim, ai beson se kjo “nuk është punë e vogël”, derisa u shpreh i bindur në fitoren e Osmanit në zgjedhjet presidenciale (raundi i parë më 24 prill, ndërsa i dyti më 8 maj, së bashku me ato parlamentare).

Kundërpeshë e Osmanit në zgjedhjet presidenciale në taborin shqiptar është Arben Taravari nga koalicioni i disa partive shqiptare “VLEN”, dhe i mbështetur hapur nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Arben Taravarin e njoh shumë pak, ndoshta edhe ka qenë anëtar i PDSH-së, por problemi është ky: një njëri, një komb, një shoqëri që mundohet të vjedh identitet ai ka mungesë të identitetit”, është mendimi i tij për kandidatin e opozitës.

Tentimi i tij, sipas Thaçit, “për të vjedhë identitetin e PDSH-së flet për karakterin e tij”.

Duke iu folur të pranishmëve, kreu i PDSH-së u tha se ju e dini se unë engjëll nuk jam, “por as politika nuk është fushë e engjëjve”.

“Mirëpo, një gjë duhet që t’iu përkujtoj, pavarësisht prej forcës sime, partisë që e kam drejtuar, pavarësisht nga takati që e kam pasur, besoj pajtoheni se kurrë s’iu kam lënë vetë. Unë nuk kam ikur asnjëherë nga këtu. Prapë kështu do të veproj”, deklaroi ai ndër të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore