Shqipëria

Sulmet masive në Serbi, rrezik në gjithë Ballkanin? – Flet për Albanian Post sociologu Dragoti


Dy sulme të njëpasnjëshme masive, i pari më 4 maj e i dyti më 5 maj, tronditën jo vetëm Beogradin dhe Serbinë, ku ngjarjet ndodhën, por mbarë rajonin e më tej edhe Evropën, si dy raste të paprecedente të sulmeve masive.

I pari, i ndërmarrë nga një adoleshent 14-vjeçar, në një shkollë, ku nëntë persona mbetën të vrarë dhe i dyti, në disa fshatra rreth Beogradit, ku tetë të tjerë gjetën vdekjen prej dorës së një 21-vjeçari të armatosur rëndë.

Kufiri i një ndarje të qartë është i hollë: Si sulm terrorist e përshkruajnë autoritetet e si sulme masive, të tjerë.

Por, e sigurt është se opinioni publik u shtang në skenarët amerikanë, të paraqitur këtë herë në format ballkanik dhe frika sigurisht u kthye edhe për nga vendet e tjera.

Thuajse në një lloj imitimi lartësues të fenomenit, e kishin shëmbëlltyrën ngjarjet e pasqyruara botërisht, apo të tjera që pasuan më vonë.

Fjala bie, në Shqipëri, po më 5 maj, u kap duke shtënë në një oborr shkolle në Farkë, me një pistoletë imituese, por e cila shkaktoi panik të madh tek nxënësit, duke i kujtuar të gjithëve se çfarë ngjau në Beograd, mundet të përhapet edhe më tutje.

Në Beograd, me 6 maj është arrestuar një 41-vjeçar, i cili në një mesazh të postuar në rrjetet sociale kishte kërcënuar se do të merrte pushkën dhe do të vriste të gjithë banorët e Rumës, një qytet jo shumë larg kryeqytetit.

Në Bosnje-Hercegovinë, në pranga përfundoi një banor i Banovicit, i cili nën efektin e alkoolit kërcënoi se do të bënte “një masakër si ajo në Beograd”, duke informuar policinë për qëllimet e tij.

Në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, pati dy episode në po aq shkolla të qytetit. Në të parën u arrestua një student 16-vjeçar, i cili kishte postuar një mesazh në media sociale me kërcënime me vdekje ndaj një profesori. Në rastin e dytë, një nxënës i ri i mitur u thirr nga policia pasi gjatë orës së mësimit nxori një pistoletë lodër nga çanta e shpinës dhe ia drejtoi shokëve të klasës dhe mësueses.

A janë këto përshkrues të një dinamike “infektuese” me kulturën e atyre që njihen si “mass shootings” në SHBA, por të transmetuara në mjedisin ballkanik?

Lidhur me këto rrethana, Albanian Post ka folur me sociologun dhe studiuesin e psikologjisë sociale, Edmond Dragoti, i cili ka treguar fillimisht se pse këto ngjarje ndodhin duke përfshirë këtë grupmoshë.

Adoleshentët, reflekton Dragoti, janë të papjekur emocionalisht dhe të paqëndrueshëm në aspektin e ekuilibrit emocional.

Në SHBA, kujton ai duke iu referuar sulmeve të vazhdueshme që ndodhin në Amerikë, kryesisht në shkolla, duke bashkuar këto elementë sjellorë me të tjerë, siç është për shembull aksesimi i gjerë i armëve, bën që ngjarje të tilla të jenë më të pranishme.

Ndërsa, në Ballkan, praktika të tilla nuk janë të njohura, sepse nuk ka raste të ngjashme, ku qëllimet emocionale apo papjekuritë mendore, të shfaqen në nivele vrasjes masive terroriste.

Mirëpo, shfaqje më të vogla në përmasa, por të ngjashme në lloj, janë të pranishme edhe në Shqipëri dhe Ballkan, ku arsyet më së shumti janë individuale dhe reflektohen si pjesë e mungesës së përgjegjësisë shoqërore dhe karakterizohen nga zënka me bashkëmoshatarët, apo më tej deri në veprime me kosto më të lartë si plagosjet.

Në këto veprime, shton më tej Dragoti, çon edhe idealizmi i kësaj grupmoshe, e cila kërkon të sjellë drejtësinë në botë, por me specifikë se kjo drejtësi në botën e adoleshentëve është morale dhe jo ligjore.

Për të mos u anashkaluar si aspekt është edhe ai i një konteksti rajonal, ku duhet kuptuar se konfliktet ndër-etnike mes kombeve dhe popujve, kryesisht edhe në Serbi, mund të çojnë në këto sjellje.

E gjitha në një periudhë lufte si kjo e sotmja, ku afërsia me konfliktin në Ukrainë sjell stres të shtuar edhe tek adoleshentët dhe mbi të gjitha në çastet kur konflikti është i vazhdueshëm dhe bën që të përplasen kësisoj edhe kulturat mes njëra-tjetrës, me diferencime raciste dhe ndër-etnike te të rinjtë.

Vetë konflikti i armatosur në Ballkan ka qenë i pranishëm deri dy dekada më parë dhe në një situatë të tillë, ai vijon të lërë gjurmë.

Ndërsa, për të mos u lënë pas, është edhe një aspekt stinor, i cili përtej shprehjes së njohur popullore “ndërron gjaku”, ka në vetvete edhe të vërteta sipas ekspertit, për shkak të ngarkesave që kjo stinë sjell, duke ndikuar psikologjikisht edhe te njerëzit.

Megjithatë, ngjarje të tilla në kontekstin ballkanik mbeten margjinale deri tani, por kujdes më i shtuar duhet të reflektohet për t’i shmangur krejtësisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore