Lajme

Sulm terrorist ndaj spitalit kryesor të Kabul-it – të paktën 15 viktima


Të paktën 15 persona kanë mbetur të vrarë dhe 34 të tjerë janë plagosur pas dy shpërthimeve terroriste.

Spitali kryesor i Kabul-it në Afganistan është goditur gjatë mesditës së 2 nëntorit nga dy sulme të njëpasnjëshme.

Shpërthimet ndodhën në hyrje të spitalit “Sardar Mohammad Daud Khan”, i cili ndodhet në qendër të Kabul-it.

Nga pamjet amatore që po qarkullojnë në Twitter është kapur momenti ku dyshohet se janë futur atentatorët në hapësirën e spitalit.

Agjencia zyrtare e lajmeve Bakhtar citon se një numër i luftëtarëve të Shtetit Islamik (IS) mësynë në spital dhe u përleshën me forcat e sigurisë.

Nuk ka ende një konfirmim zyrtar për numrin e viktimave, por një zyrtar taleban tregon për mediat lokale se bëhet fjalë për të paktën 15 viktima.

Fotografitë e shpërndara nga banorët tregojnë një shtëllungë tymi pranë ish-zonës diplomatike në zonën Wazir Akbar Khan.

Dëshmitarët thanë se kanë parë të paktën dy helikopterë të fluturojnë mbi zonë.

Qëkurse talebanët morën frerët e qeverisë afgane, shpërthimet i shtohen listës në rritje të sulmeve dhe vrasjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore