Lajme

Sulm me armë në Izrael, të paktën dy të vrarë dhe disa të plagosur


Dy izraelitë, një burrë dhe një grua, u vranë dhe gjashtë persona të tjerë, duke përfshirë dy oficerë të policisë izraelite, u plagosën gjatë një sulmi me armë zjarri në Hadera të dielën në mbrëmje.

Kryeministri izraelit Naftali Bennett është duke shkuar për në vendngjarje.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja izraelite “The Jerusalem Post”.

Dy sulmuesit – burra arabo-izraelitë nga Umm el-Fahm – u qëlluan për vdekje nga oficerët e fshehtë të Njësisë Kundër Terrorizmit të Policisë Kufitare.

Sulmuesit thuhet se kanë pritur që të kalonte një autobus përpara se të qëllonin drejt civilëve.

Dy burra izraelitë rreth të 20-ave u plagosën rëndë në sulm, ndërsa një burrë 45-vjeçar dhe një grua izraelite rreth të 20-tave u plagosën lehtë.

Ata u dërguan me urgjencë në Qendrën Mjekësore Hillel Yafe në qytet për trajtim të mëtejshëm.

Në vendin e të shtënave, dy civilë të tjerë po trajtohen nga mjekët. Pesë kalimtarë u evakuuan gjithashtu në Qendrën Mjekësore Hillel Yafe pasi shfaqën shenja të sindromës së stresit post-traumatik (PTSD).

“Për fat të mirë, oficerët tanë arritën të neutralizojnë sulmuesit dhe të parandalojnë një sulm më të madh terrorist”, tha zëdhënësi i policisë kombëtare Eli Levy në televizionin izraelit Kan.

Sulmi vjen ndërsa ministrat e jashtëm nga Izraeli dhe katër vende arabe takohen në Negev për një samit historik, së bashku me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid shkruan në Twitter se të gjithë ministrat e jashtëm dënuan sulmin.

Sipas zyrtari hebre, ata u dërgojnë ngushëllime familjeve dhe urimet më të mira për shërimin e të plagosurve.

Hadera është një qytet i vendosur në distriktin Haifa të Izrael-it.

Ajo gjendet afërsisht 45 kilometra nga qytetet kryesore të Tel Avivit dhe Haifës.

Ky sulm vjen pesë ditë pas një sulmi terrorist që mori jetën e katër personave në jug të shtetit hebre.

Policia bëri të ditur se tre u goditën me thikë për vdekje jashtë qendrës tregtare BIG në Beersheba, ndërsa një i katërt u përplas nga një automjet i drejtuar nga sulmuesi.

Incidenti i rëndë i 22 marsit ishte sulmi më vdekjeprurës i tillë në Izrael prej disa vitesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore