Lajme

“Süddeutsche Zeitung”: Propaganda e Vuçiçit financohet nga kompanitë gjermane


Ilustrim

Në një artikull të gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” mbi peisazhin politik në Serbi, thuhet se kompanitë gjermane ndihmojnë në financimin e makinerisë propagandistike të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili është duke rrëshqitur gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit, ndërsa vazhdon të tolerohet në masë të madhe nga vendet e Bashkimi Evropian (BE).

“Në financimin e makinerisë propagandistike të Vuçiçit ndihmojnë edhe kompanitë gjermane, duke vendosur reklama në mediat pro-qeveritare serbe. Dhe për vite me rradhë, presidenti serb është siguruar se figurat kryesore të BE-së nuk do të jenë shumë të ashpra ndaj regjimit të tij, ndërkohë që ai rrënon demokracinë e vendit deri në fasadë”, thuhet në artikull.

E deklaratat e zyrtarëve shtetëror serbë se Serbia është vazhdimisht e kërcënuar nga armiqtë, kryesisht nga fuqitë e huaja perëndimore, sipas gazetës së respektuar gjermane, janë pjesë e repertorit standard të autokratëve dhe populistëve. Në artikull ndër të tjera thuhet se ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, promovoi stabilokracinë e instaluar nga Vuçiçi.

“Ish-kancelarja Merkel vlerësoi dhe promovoi rolin e Vuçiçit si ‘stabilokrat’, ashtu siç tallen kritikët: si një njeri i fortë që parandalon kaosin gjeopolitik në rajon, u jep partnerëve të huaj një klimë të këndshme investimi dhe në këmbim është vetëm ‘pjesërisht’ i aftë për të krijuar një sistem politik ‘të lirë’ në Serbi”, thuhet ndër të tjera në artikullin e gazetës gjermane.

Duke qenë se Serbia aktualisht ndodhet në mes të një kryqëzimi kritik ndërmjet demokracisë liberale dhe autoritarizmit populist, sistemi i instaluar ndër vite nga presidenti serb, nuk do të ndryshojë brenda natës, vlerëson ndër të tjera gazeta gjermane, ndërsa thuhet se ekzistojnë shumë indikacione se Serbia do të ruajë “stabilokracinë” për një kohë të gjatë.

Perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga perëndimi, duke rreshtuar veten krah Rusisë dhe Kinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore