Lajme

Stuhitë në Korsikë dhe pjesë të Italisë lanë shtatë të vdekur


Ishulli mesdhetar i Korsikës dhe pjesë të Italisë janë goditur nga stuhi me erëra deri në 224 kilometra në orë, duke lënë të vrarë shtatë persona dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

Një vajzë 13-vjeçare ndërroi jetë pasi një pemë ra në një kamping ku po qëndronte në jug, ndërsa një burrë 46-vjeçar u vra kur një pemë ra në një shtëpi njëkatëshe kampingu në qytetin verior Calvi.

Një 72-vjeçare humbi jetën kur çatia e një kasolleje në plazh u hodh në erë dhe goditi makinën e saj.

Kurse dy persona u vranë në incidente të veçanta në Toskanë kur pemët ranë nga stuhitë – një pranë qytetit të Lucca dhe një tjetër pranë Carrara.

Katër persona të tjerë u plagosën nga rrëzimi i pemëve në një kamping pranë Carrara.

Shërbimi i motit Meteo France lëshoi ​​një tjetër alarm të rëndë moti për Korsikën, por tha se “shpërthimet e erës me stuhi gjatë natës deri të premten do të jenë shumë më pak të dhunshme se ato të mëngjesit të së enjtes”.

Stuhitë goditën pas tre ditësh shiu intensiv në rajon, i cili ka pësuar një verë të nxehtësisë ekstreme, thatësirës dhe zjarreve të furishme pyjore që shkencëtarët i kanë lidhur me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

Sakaq, zyrtarët urdhëruan evakuimin e të gjitha kampeve në Korsikë dhe operacionet e shpëtimit u nisën përgjatë bregut perëndimor të ishullit në përgjigje të thirrjeve SOS nga anijet e bllokuara.

Dhjetëra anije të tjera dërguan sinjale duke kërkuar ndihmë emergjente.

Në Korsikë rreth 45 mijë shtëpi mbetën pa energji elektrike të enjten dhe të paktën 12 persona u plagosën dhe u dërguan në spital, një në gjendje kritike.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se kishte thirrur një mbledhje urgjente të qeverisë me video-konferencë të enjten në mbrëmje për t’iu përgjigjur krizës.

Meteo France nuk kishte dhënë paralajmërim paraprak dhe tha se vendndodhja e saktë e stuhive ishte e vështirë të parashikohej. Pastaj lëshoi ​​një alarm me “efekt të menjëhershëm” pasi erërat e forta filluan të godasin ishullin.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore