Lajme

Stuhia tropikale “Nicholas” kërcënon bregdetin e Texas-it


Të hënën e 13 shtatorit, stuhia tropikale “Nicholas” – sipas parashikuesve në Qendrën Kombëtare të Uraganeve në Miami – pritet të godasë bregdetin e Texas-it, duke sjellë kërcënimin për rreshje të dendura dhe përmbytje në zonat bregdetare të Texas-it, Meksikës dhe Louisiana-s – e goditur së fundmi nga stuhitë.

Në një këshillë speciale të dielën vonë, parashikuesit thanë se qendra e “Nicholas” ishte reformuar dhe sistemi u forcua.

“Nicholas” gjatë disa ditëve pritet të prodhojë reshje totale deri në 10 inç (25 centimetra) në Texas dhe Louisiana-n jugperëndimore, me sasi maksimale të izoluara prej 20 inç (50 centimetra), në pjesë të Texas-it bregdetar, duke filluar natën e së dielës deri në mesjavë.

Ndërkohë Guvernatori i Texas-it, Greg Abbott, ka deklaruar se shteti ka marrë të gjitha masat duke vendosur ekipe dhe burime shpëtimi në zonën e Houston-it dhe përgjatë Bregut të Gjirit të Texas-it.

“Kjo është një stuhi që mund të lërë shi të fortë, si dhe erë dhe ndoshta përmbytje, në rajone të ndryshme përgjatë Bregut të Gjirit. Ne ju nxisim të dëgjoni sinjalizimet lokale të motit, dëgjoni paralajmërimet lokale”, tha Abbot në një video-mesazh.

Guvernatori i Louisiana-s, John Bel Edwards, të dielën në mbrëmje shpalli një gjendje të jashtëzakonshme përpara mbërritjes së stuhisë – në një kohë që ende po ‘shërohet’ nga Uragani “Ida” dhe “Laura” i vitit të kaluar dhe përmbytjet historike.

“Kërcënimi më i rëndë për Louisiana-n është në pjesën jugperëndimore të shtetit, ku rimëkëmbja nga Uragani ‘Laura’ dhe përmbytjet e majit po vazhdojnë. Në këtë zonë mund të ketë reshje të dendura shiu dhe përmbytje të shpejta”, tha Edwards.

Stuhia pritej të sillte reshjet më të mëdha në perëndim të vendit ku Uragani “Ida” goditi Louisiana-n dy javë më parë.

Në të gjithë Louisiana-n, 140 mijë e 198 banorë – ose rreth 6.3% e shtetit – mbetën pa energji të dielën në mëngjes, sipas Komisionit të Shërbimit Publik.

Sipas meteorologëve, stuhia parashikohet të lëvizë ngadalë në bregdet, e cila mund të sjellë shi të rrëmbyeshëm gjatë disa ditëve.

Studiuesi i uraganeve të Universitetit Shtetëror të Kolorados, Phil Klotzbach tha se, “Nicholas është stuhia e 14-t e emëruar e sezonit të uraganeve Atlantik 2021”.

Ai theksoi faktin se, “vetëm katër vite të tjera që nga viti 1966 kanë pasur 14 ose më shumë stuhi të emërtuara deri më 12 shtator: 2005, 2011, 2012 dhe 2020”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore