Lajme

Stuhi e vërshime në Slloveni, tre të vdekur deri më tani


Pamje nga vershimet ne Slloveni

Shirat e paprecedentë që kanë rënë në Slloveni kanë shkaktuar përmbytje të tmerrshme, ndërsa aktualisht situata është e vështirë në shumë qytete të këtij vendi.

Përmbytjet në Slloveni po konsiderohen si më të këqijat dhe më shkatërruese në historinë e vendit.

Uji ka depërtuar nëpër shtëpi, ka rrugë të prishura, madje dhe ura.

Avto v reki Sori

Zjarrfikësit, pjesëtarët e Mbrojtjes Civile sllovene, ushtarë, policë, pra të gjitha institucionet sllovene po tentojnë që të zhbllokojnë rrugën e personave që si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut kanë mbetur të bllokuar, në mesin e tyre ka gra shtatzëna, foshnja, fëmijë e të moshuar.

Si pasojë e këtyre reshjeve, fatkeqësisht kanë humbur jetë tre persona deri më tani, viktima e parë ishte një grua e moshuar në qytetin e Kamnikut, e cila tentoi të largohej nga shtëpia pasi uji u fut brenda, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.

Mijëra njerëz u desh që të evakuoheshin në të gjithë vendin, një pjesë e madhe e vendit ka mbetur pa energji elektrike, ujë dhe internet.

Reshjet më të mëdha ishte në veri, veriperëndim dhe në Slloveninë qendrore.

Savinja je v Celju prestopila bregove

Rreziku nuk ka kaluar, pasi që në disa pjesë të Sllovenisë ende është duke rënë shi i dendur.

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, në një konferencë për media në orët e mbrëmjes ka thënë se momentalisht, siguria e qytetarëve slloven është prioritet.

“Prandaj ju lus që t’i merrni seriozisht të gjitha paralajmërimet e autoriteteve, mos e nënvlerësoni natyrën dhe mos e ekspozoni veten ndaj rrezikut pa qenë nevoja”.

Ndërsa, ai falënderoi të gjithë autoritetet sllovene që janë në terren duke i ndihmuar qytetarëve, duke shtuar se “ne po punojmë për t’u ndihmuar njerëzve sa më shpejt të jetë e mundur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore