Lajme

Studiuesi parlamentar në Britani mohon se ka spiunuar për Kinën


Një studiues parlamentar i Mbretërisë së Bashkuar, i cili është arrestuar me dyshimin se ka spiunuar për Pekin-in, thotë se ai është “plotësisht i pafajshëm” dhe jo një “spiun kinez”.

Lajmi u bë i ditur nga multimediali britanik “BBC”.

Burri, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur nga autoritetet britanike, por thuhet se është rreth të 20-ave, mohoi çdo përfshirje në spiunazh, në një deklaratë të lëshuar të hënën nga avokatët e tij.

Kryeministri britanik Rishi Sunak ngriti “shqetësimet e tij shumë të forta” për “ndërhyrjen” e mundshme kineze në demokraci me kryeministrin Li Qiang në margjinat e samitit të Grupit 20 në Indi të dielën.

“Ndihem i detyruar t’i përgjigjem akuzave të mediave se jam një ‘spiun kinez’”, tha i dyshuari në deklaratë. “Është e gabuar që unë të detyrohem të bëj çdo formë komenti publik për keqraportimin që ka ndodhur. Megjithatë, duke pasur parasysh atë që është raportuar, është jetike që të dihet se jam plotësisht i pafajshëm”.

Ai shtoi se e ka kaluar karrierën duke u përpjekur të edukojë të tjerët për sfidën dhe kërcënimet e paraqitura nga Partia Komuniste Kineze.

Policia tha gjatë fundjavës se kishte arrestuar një burrë rreth të 20-ave në shtëpinë e tij në Edinburg për spiunazh.

Një tjetër burrë rreth të 30-ave u arrestua gjithashtu, tha policia.

Të dy arrestimet u bënë në mars me dyshimin për shkelje sipas ligjit të sekreteve zyrtare. Dy burrat janë liruar me kusht deri në tetor.

Gazeta “Sunday Times” raportoi se burri në të 20-at ishte një studiues në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

Ai ishte i punësuar nga Alicia Kearns, një deputete e Partisë Konservatore në pushtet, e cila kryeson Komitetin e Punëve të Jashtme, tha gazeta.

I dyshuari ka qenë gjithashtu i lidhur me Ministrin e Sigurisë Tom Tugendhat, i cili ka qenë kritik ndaj Pekin-it dhe është themeluesi i Grupit Kërkimor të Kinës, i cili bashkon deputetët konservatorë që kërkojnë “mendim të ri” për Kinën.

Një numër deputetësh, përfshirë Tugendhat, janë sanksionuar nga Pekini.

Duke shkruar në X, e njohur më parë si Twitter, Kearns tha se ishte në dijeni të akuzave dhe nuk do të komentonte.

Një zëdhënës i ambasadës kineze në Londër, megjithatë, tha se raportet ishin “shpifje keqdashëse”.

“Pretendimi se Kina dyshohet për ‘vjedhjen e inteligjencës britanike’ është krejtësisht i fabrikuar dhe asgjë tjetër veç shpifje keqdashëse”, tha zëdhënësi në një deklaratë të botuar vonë të dielën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore