Lajme

Studentja dështon në provim pasi i bie një qofte në tastierë dhe e nxjerr nga testi


Keni dëgjuar histori të pafata, por edhe qesharake, gjatë periudhës së karantinës në kohën e pandemisë së COVID-19?

Bëhuni gati të lexoni mbi një prej më qesharakeve nga ato!

Një studente në SHBA dështoi në testin e saj, të cilin po e kryente online dhe arsyeja, përtej çdo imagjinate të mundshme, është fakti se asaj i ra mbi tastierë një qofte nga sanduiçi që po konsumonte, duke e nxjerrë jashtë nga testi dhe duke e paraqitur atë si të plotësuar.

Ajo quhet Sam Lee dhe në kulmin e provimeve, në korrik 2020, po i nënshtrohej një testi, kur në mënyrë të parakohshme, ajo pa ekranin e saj të ndryshonte ndërfaqe dhe të merrte një pikavarazh të ulët në provim.

Aty kuptoi se diçka e “tmerrshme” kishte ndodhur dhe se nga sanduiçi që ajo po konsumonte, të cilin e kishte blerë në zinxhirin e famshëm të ushqimit të shpejtë, Subway, kishte rënë një qofte, e cila i kishte shtypur tastierën.

Menjëherë, pas postimeve të para në mediat e saja sociale, në shok tërësor për rrethanat e ngjarjeve, 20-vjeçarja vendosi t’i shkruante profesorit të lëndës, për një mundësi të re.

“Kam pasur disa vështirësi teknike dhe shpërqendrime gjatë testimit”, i nisi ajo email-in, duke i shpjeguar kështu edhe rrethanat e vërteta të ngjarjes.

Për çudi, vetë profesori u tregua shumë i kuptueshëm, duke e përshkruar ngjarjen aq të pazakontë, sa do të ishte e pamundur të sajohej dhe ndaj i dha një mundësi të dytë studentes, duke i dhënë edhe një këshillë të vyer.

“Testin tjetër, të këshilloj ta ndërmarrësh përpara ose pas buke”, i shkroi ai, me në fund një buzëqeshje.

Vetë Lee e mori testin sërish pas disa ditësh, duke i treguar ndjekësve të saj në media sociale se kishte dalë më mirë në vlerësimin e marrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore