Biznes

Studentët që po përpiqen të mbajnë në këmbë ekonominë e Ukrainës


Julia Pavlenko-s i është dashur të përballojë më shumë stres se shumica e studentëve të programeve të biznesit.

Puna, angazhimet në klasë dhe jeta personale janë ndërprerë rrënjësisht gjatë muajve të fundit në Ukrainë.

“Jam duke punuar nga ora 06:00 e mëngjesit deri në 02:00 të mëngjesit çdo ditë me vetëm disa orë gjumë dhe pushoj vetëm të shtunave për dy ose tre orë”.

“Klasa jonë përpiqet të takohet virtualisht, por ne duhet edhe të mbrohemi gjatë sulmeve me raketa deri në tre herë në ditë dhe shpesh kemi ndërprerje të energjisë”.

Ajo është një nga një grup menaxherësh ukrainas që u regjistruan për një program MBA në vitin 2020 në Institutin Ndërkombëtar të Menaxhimit të Kievit.

Që nga shkurti, grupit i është dashur të përballet me bombardimet dhe shpërqendrimet në punët e tyre, shumë përtej çështjeve që shumica e kurseve universitare janë krijuar për të trajtuar.

Pavlenko ka treguar se bashkëmoshatarët e saj kanë krijuar rrjete të vlefshme gjatë takimeve të tyre në internet dhe po ashtu të rastësishme.

Ata po kontribuojnë në përpjekjet më të gjera për të mbajtur në këmbë ekonominë e Ukrainës dhe për të mbështetur aktivitetet humanitare dhe ushtarake të nxitura nga vendimi i Rusisë për të nisur një luftë kundër vendit të tyre.

MIM u themelua në Kiev në vitin 1989 me mbështetjen e asaj që tani quhet shkolla e biznesit IMD në Zvicër.

Synonte të ndihmonte në riorientimin e Ukrainës drejt perëndimit në një botë post-sovjetike.

Më shumë se tre dekada më vonë, i është dashur të përshtatet me pasojat e trashëgimisë së pazgjidhur të lindjes, pas përpjekjeve të Vladimir Putin për ta rikthyer vendin nën ndikimin e Kremlinit.

“Ideja ishte të krijohej edukimi për biznesin në Ukrainë, për të sjellë standarde ndërkombëtare”, ka treguar Iryna Tykhomyrova, presidente e MIM.

Pasi u mbyll për një kohë të shkurtër në shkurt dhe pësoi disa dëmtime nga bombardimet, shkolla u rihap në prill, me vajzat që punonin kryesisht nga jashtë, ndërsa burrat nga Kievi.

“Po tregojmë se lufta do të përfundojë, duke u përgatitur për të ndërtuar një shoqëri të re dhe një të ardhme të re”, ka thënë ajo.

Një nga studentët, Maksim Korolenko, është shkolluar kryesisht jashtë vendit. Por ai u kthye në Ukrainë për t’u bashkuar me biznesin familjar të turizmit.

“Pjesa më e vlefshme e kursit për mua nuk është njohuria, por ndërveprimi me kolegët. Ju e shihni qëndrueshmërinë e tyre dhe se si të gjithë po marrin pjesë në përpjekjet e luftës. Të sjell më afër”, ka thënë ai.

Atij, ngjashëm si shumë prej miqve të tij, i është dashur të ristrukturojë kompaninë, duke u zhvendosur nga ofrimi i këshillave për ukrainasit që bëjnë pushime jashtë vendit, te mbështetja e vullnetarëve të huaj humanitarë që udhëtojnë në vend për të ofruar ndihmë.

Po ashtu ka hapur një faqe interneti për mbledhjen e fondeve dhe për të ofruar informacion mbi konfliktin.

“Menaxhimi i krizës është bërë tema kryesore. Ju vazhdimisht e keni ndjenjën se jeni pjesë e shkrimit të një kapitulli të ri në edukimin e biznesit, duke u marrë me gjëra me të cilat jo shumë njerëz janë dashur të merren më parë”.

Përpos COVID-it, lufta solli vështirësi të reja në funksionim e biznesit të tij, jo ​​më pak në përballimin e rritjes së normave të interesit, vështirësitë në huamarrje dhe kostot e kursit të këmbimit.

Një çështje e zakonshme për studentët ka qenë nevoja për vendimmarrje shumë të shpejtë dhe fleksibël.

“Ne kemi një ekonomi dinamike dhe duhen rezultate shumë shpejt. Kurrikula nuk mund të lëvizë me të njëjtën shpejtësi”, ka thënë Pavlenko.

“Nuk kemi kohë për negociata të gjata apo burokraci. Ne duhet të lëvizim shpejt dhe në mënyrë krijuese për të mbështetur ushtrinë dhe ekonominë tonë. Qasja ime është nëse jeni dakord, le të fillojmë. Nëse jo, ne do të ndryshojmë partnerët tanë”, ka shtuar ajo.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore