Sport

Struga shkëlqen përkohësisht dhe bie përballë Slovan Bratisllavës


Skuadra e Strugës e ka nisur me humbje aventurën në raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League 2024-25. Ata u mundën 4-2 nga Slovan Bratisllava, në një ndeshje ku shkëlqyen për shumë minuta dhe mund të kishin arritur më shumë.

Në “Tehelne Pole Stadion” të Bratisllavës, Struga pësoi dy gola në pjesën e parë, ndaj një kundërshtari i cili ka një emër shumë herë më të madh se ekipi nga Maqedonia e Veriut.

Megjithatë, ata arritën të barazonin shifrat përkohësisht, por në fund ranë duke marrë një humbje, e cila mund t’i mbajë ende të hapura kartat për një kualifikim të mundshëm.

Vladimir Weiss dhe Robert Mak ishin autorët e golave në pjesën e parë për Slovan Bratisllavën, përkatësisht në minutën e 16 dhe 34. Dy asistimet erdhën nga David Strelec, me sulmuesin që ishte pjesë e Sllovakisë në Euro 2024.

Ylli i Strugës, Besart Ibraimi realizoi dy gola, në minutën e 55, me penallti, dhe 74, duke sjellë barazpeshën e takimit.

Barazpesha do të qëndronte deri në minutën e 85, kur Juraj Kucka do të realizonte me kokë, pas një dalje të gabuar të gardianit të portës së Strugës, Filip Dujmovic. Me Kucka-n një tjetër lojtar i Sllovakisë në Euro 2024.

Dhe, në minutën e parë të kohës shtesë, Kucka do të realizonte golin e dytë personal dhe të katërtin për Slovan Bratisllavën.

Me këtë humbje, Struga e trajnerit Qatim Osmani do të presë për të bërë diçka më tepër në takimin e kthimit më 17 korrik, ora 17:00.

Duke filluar nga ora 21:00 e kësaj mbrëmjeje, Egnatia, kampione e Superiores së Shqipërisë, do të luajë ndeshjen e parë në raundin e parë kualifikues të Champions League në transfertën e Borac Banja Luka.

Ballkani dhe Deçiqi luajtën të martën, me kampionët e Kosovës që fituan 2-1 përballë UE Santa Coloma dhe kampionët e Malit të Zi që humbën 3-0 ndaj The New Saints.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore