Shqipëria

Strategjia e Zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative: Mbështetje për startup-et, me rëndësi për zhvillimin ekonomik


Delina Ibrahimaj, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, ka prezantuar për konsultim Strategjinë e Zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative për vitet 2024-2030.

Dokumenti në fjalë, i hartuar në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përfaqëson vizionin për të rritur potencialin e sipërmarrjes dhe inovacionit në vend.

Strategjia stimulon rritjen e ekosistemit të startup-eve dhe zhvillimin e të gjitha shtresave të ekosistemit, duke përfshirë nivelin mikro, të mesëm dhe atë makro, dhe gjeneron qarqe të virtytshme brenda ekosistemit dhe sektorëve me prioritet ekonomik në vend.

Ibrahimaj ka theksuar se kjo strategji hedh themelet për ndryshimin e krijimit të vlerave kombëtare të Shqipërisë, duke trajtuar tre shtylla: Ekosistemi Inovativ Sipërmarrës, Sektorët Strategjik (S3), si dhe Zhvillimi Gjithëpërfshirës.

“Përmes mbështetjes institucionale dhe investimeve të përshtatshme, synojmë të ndërtojmë një mjedis të favorshëm për sipërmarrjen dhe inovacionin. Bashkëpunimi i aktorëve të ndryshëm, përfshirë qeverinë, sipërmarrësit dhe komunitetin akademik, korporatat dhe kapitalin privat, do të jetë thelbësor për suksesin e kësaj strategjie dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë ajo.

Ky dokument parashikon një sërë masash dhe veprimesh për të adresuar sfidat dhe mundësitë e ekosistemit sipërmarrës në tërësi. Në qendër të kësaj strategjie është rritja dhe fuqizimi i rolit të sipërmarrësit, përmes nxitjes së inovacionit, zhvillimit të talenteve vendase, krijimit të ambienteve të përshtatshme për rritje dhe zhvillim, si dhe mbështetjes së financimit dhe politikave të përshtatshme për sipërmarrjen.

“Strategjia është një dokument shumë i rëndësishëm dhe sigurisht që është qeveria që e merr lidershipin e hartimit të saj dhe mbështetjes së çdo hallke që kemi parashikuar aty. Zhvillimi i strategjisë dhe arritja e objektivit kërkon lidershipin e gjithësecilit prej jush, kërkon lidershipin e startup-eve, kërkon lidershipin e sipërmarrjes që ekziston në vend me qëllim mbështetjen e inovacionit dhe bashkëpunimit, hapjen e horizontit dhe të dyerve për bashkëpunim me startupet, pasi vetëm bashkë do mund të arrijmë ato fazat e zhvillimit të shpejtë të saj”.

“Kërkon padiskutim mbështetjen e akademisë, pasi janë studentët dhe akademia, e cila do të na ndihmojë me ide të reja, produktive dhe të strukturuara që do t’i shërbejnë ekonomisë tonë dhe asaj globale”, ka shtuar ministrja.

Çdo kontribuues do të mund të ofrojë sugjerime për të përmirësuar dokumentin deri në fund të muajit Prill 2024 me qëllim përmbushjen e nevojave dhe të synimeve të të gjithë palëve të interesuara, duke përfshirë sipërmarrësit, akademikët, përfaqësuesit e qeverisë, sektorin privat, dhe shoqërinë civile.

“Deri në fund të prillit do të kemi të hapur konsultimin publik, do të bëjmë takime të këtij lloji dhe më të vogla, e më të strukturuara që çdo grup interesi të ketë mundësi të shprehë mendimet e veta. Presim që edhe nëpërmjet emailit dhe komunikimeve elektronike gjithsecili prej jush të japë mendimet për çdo element të strategjisë që duhet të zhvillohet ndryshe, apo përmirësuar atë mendim që ne kemi pasur. Vetëm duke bashkëpunuar mirë në hartimin e strategjisë dhe planit të veprimit ne do të arrijmë të shfrytëzojmë maksimalisht potencialin që kemi, qoftë të atij njerëzor, atij financiar, por edhe potencialin për të shkuar përtej kufijve dhe për të ndërkombëtarizuar ato ide që ne mund të kemi për të ardhmen”, sipas Ibrahimaj.

Për të, kjo strategji paraqet një platformë të qëndrueshme dhe të qartë për të ndërtuar një ekonomi inovative dhe të qëndrueshme në Shqipëri, duke i dhënë vendit tonë mundësinë për të qenë pjesë e një të ardhmeje më të më të qëndrueshme dhe konkurruese globalisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore